Maqedoni

Komuna e Çairit shënon 7 Marsin, dekorohen arsimtarët e dalluar në pension

07.03.2023 15:21

7 Marsi, Dita e mësuesit, u shënua nga Komuna e Çairit me ç’rast u shpërblyen arsimtarët më të dalluar në shkolla...

7 Marsi, Dita e mësuesit, u shënua nga Komuna e Çairit me ç’rast u shpërblyen arsimtarët më të dalluar në shkolla dhe çerdhe si dhe arsimtarët e pensionuar për kontributin e dhënë në sferën e arsimit. Arsimtarët e shpërblyer potencuan se arsimi po përballet me shumë sfida por arsimtarët janë ata që edukojnë brezat e rinj, andaj duhet të punojnë me përkushtim për të realizuar  këtë mision të shenjtë. 
 
“Në arsim kanë vazhduar nxënësit pak më të dobët dhe janë bërë mësimdhënës, që nuk do të thotë se me autimatizëm janë të dobët, mund të ndryshojë, por unë e kisha pasur këtë këshillë, nxënësit më të mirë të vazhdojnë dhe të paguhet më mirë.”, - theksoi arsimtari i pensionuar, Xhelal Ramadani. 
 
“Brezave të rinj u sugjeroj që të përkushtohen më shumë në edukimin e gjeneratave të reja dhe marrjen e diturive të reja.”, - tha arsimtarja, Idajete Arifi.
 
“Çdoherë të jemi në shërbim të fëmijëve dhe të jemi të vetëdijshëm se  jemi për fëmijët dhe t’i përmbushim kërkesat, jo vetëm në mësimin, por edhe edukim dhe të gjitha kriteret që i takojnë një mësimdhënësi të përkryer.”, - u shpreh arsimtarja, Remzije Gjakova.
 
Ganiu shpall afaristin Imeri qytetar nderi, ka investuar në avancimin e arsimit 2 milion euro
 
Përveç shpërblimit të arsimtarëve, Komuna e Çairit shpalli qytetar nderi afaristin Selman Imeri, pronar të “Eftinija Impeks”,  i cili ka investuar 2 milion euro për zhvillimin infrastrukturor të objekteve shkollore në komunë. 
 
“E falënderoj pa masë për tërë kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhe me veprat e tij po bën edhe më të fuqishme dritën e diturisë në Komunën tonë të Çairit dhe familjen Imeri për kontributin e dhënë, ndërsa juve mësimdhënës ju uroj shtatë Marsin.”, - theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu. 
 
Shpërblimi i punonjësve të dalluar të arsimit është shndërruar në traditë që me vite të tëra po kultivohet nga Komuna e Çairit.

FLUTURA LATIFI