Maqedoni
LSM: Shporta konsumatore në shkurt 50.909 denarë
07.03.2023 15:43
Shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe në muajin shkurt arritën në 50.909 denarë...

Shpenzimet minimale të një familjeje katër anëtarëshe në muajin shkurt arritën në 50.909 denarë, thuhet në analizën e publikuar sot nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë. Sipas të dhënave nga shporta sindikale e konsumit, e publikuar nga Lidhja e Sindikatave, pjesa më e madhe ose 19.379 denarë shpenzohet për ushqim dhe pije, ndërsa 13.306 denarë për shpenzime komunale. Për transport nevojiten minimalisht 3.679 denarë, ndërsa për mjete higjienike 3.154 denarë. Krahasuar me janarin e këtij viti, shporta e konsumit sindikal është rritur për 110 denarë.
Ministria e Ekonomisë: Pritet ulje e çmimit të produkteve bazë
Prej disa ditësh ka hyrë në fuqi vendimi qeveritarë për ngrirjen e çmimit të bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë 450 gramëshe në 33 denarë, ndërsa qeveria pritet të marrë vendim për uljen e çmimit të makaronave dhe vajit, paralajmërojnë nga ministria e Ekonomisë. Paralajmërohet se disa prodhime të qumështit dhe makaronave duhet t’u ngrijnë çmimet, siç janë qumështi i pasterizuar i lopës, jogurtit si dhe pastat.
“Ministria e Ekonomisë po bënë analiza për ngrirjen e çmimeve të brumërave dhe të disa produkteve të qumështit, të cilat aktualisht edhe mbulohen nga vendimi për marzhë të kufizuar të TVSH-së, që bëjnë pjesë në produktet bazë të shportës së konsumatorit. Do të ndjekim modelin për industrinë e furrtarëve.”, theksojnë nga Ministria e Ekonomisë.
Qeveria po bisedon me tre prodhuesit e vajit ushqimor në vend, për uljen e çmimit në më pak se 100 denarë për një litër.
GYLTENE SINANI
