Maqedoni
Paralajmërimet për bomba, LSDM: VMRO me sjellje destruktive
07.03.2023 16:00
LSDM ka akuzuar VMRO-DPMNE-në për sjellje destruktive dhe pengim në punën e institucioneve...

LSDM ka akuzuar VMRO-DPMNE-në për sjellje destruktive dhe pengim në punën e institucioneve gjatë zbatimit të masave për t'u përballur me njoftimet për bomba të vendosura nëpër shkolla. Sipas tyre, thirrjet publike të përfaqësuesve të VMRO-DPMNE-së, si Vesna Janevska për mosrespektim të protokolleve, janë cenim i drejtpërdrejtë i veprimit të institucioneve kompetente në luftën kundër sulmeve hibride dhe sjellja e tyre sipas LSDM-së ngre dyshime serioze për rolin e tyre.
“Me sjelljen e saj skajshmërisht të papërgjegjshme, VMRO-DPMNE rreshtohet pas sulmeve hibride që synojnë të krijojnë trazira, tensione, mosbesim dhe ndjenjë frike te qytetarët. Kjo nuk është dhe nuk duhet të jetë temë e politikës ditore, sepse ka të bëjë me sigurinë e shkollave dhe procesin mësimor. VMRO-DPMNE duhet të ndalojë pengimin dhe minimin e punës së institucioneve që punojnë për sigurinë e plotë të fëmijëve, duke neutralizuar problemin dhe duke mundësuar mësim të pandërprerë.”, - u shpreh Mile Taleski nga LSDM.
VMRO-DPMNE ditë më parë akuzoi pushtetin për paaftësi që të zbulojnë se kush e kërcënon sigurinë, kush mbjell frikë te qytetarët, veçanërisht të nxënësit, e aq më pak t'i pengojë ata. Në vend që të reagojnë menjëherë, pas 5 muajsh u kujtuan se duhet bërë një plan, thonë nga VMRO-DPMNE. Ndryshe në pesë muajt e fundit janë evidentuar 500 kërcënime të rreme për vendosje të bombave. MPB deri më tani ka zbuluar vetëm tre raste. Shkollat, javën që lamë pas, vijuan mësimin online për shkak të kërcënimeve të shumta që vinin në e-mail adresat e tyre.
NAIM RAMADANI
