Maqedoni

Shaqiri: Orët do të kompenzohen, ku kishte kërcënime për bomba

08.03.2023 14:17

Orët e humbura nëpër shkollat ku kishte paralajmërime për bomba do të kompensohen...

Orët e humbura nëpër shkollat ku kishte paralajmërime për bomba do të kompensohen, por ende nuk është definuar mënyra se si. I pyetur në emisionin “Argument” se a mund ta llogarisim si vit të plotë dhe a do të përfundojë më 10 qershor viti shkollor, ministri Shaqiri pa përgjigje konkrete. Fillimisht do të analizohen se cilat shkolla sa orë kanë humbur dhe pastaj do të merret vendimi, edhe pse sipas tij më e pëlqyeshme do të ishte që mësimi të kompensohet me orar të zgjatur. 
 
“Ka brenda qytetit të Shkupit që në këto ditë mund të ketë pasur një shkollë vetëm pesë herë paralajmërime, por ka shkolla që kanë pasur edhe 20 herë paralajmërime, në qoftë se mund të arrijë të kompensojë dhe nuk ka kompensuar brenda kësaj kohe, do të vlerësohet. Por, duhet ta kuptoni edhe faktin që vendimi për të ndryshuar kalendarin shkollor sillet brenda ligjit dhe duhet t’i takojë të gjithë territorit të vendit dhe ju e dini që në shumicën e qyteteve nuk kanë pasur paralajmërime, kanë vazhduar me proces normal, kanë realizuar programin dhe në qoftë se do të mund ta realizojnë brenda afatit afatit shkollor duke punuar jashtë orarit.”, - deklaroi ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
 
Ismaili: Mësimi të vazhdojë edhe pas përfundimit të vitit
 
Ndërkohë, profesori Satki Ismaili insiston që mësimi të vazhdojë edhe pas afatit të paraparë për mbyllje të vitit mësimor. 
 
“Kalendarët mësimorë në shtetet e ndryshme të botës, mësimi nuk ndërpritet, do të thotë punohet edhe në korrik, ka vetëm pushime dy javore. Përse të mos mësohet deri më 20 qershor, pse të mos mësohet deri më 30 qershor. Nuk duhet të lëshohet pe assesi në humbjen e orëve. Dështimi më i madh do të ishte që nëse bëhet lëshim dhe të thuhet se viti shkollor përfundon më 10 qershor.”, - theksoi profesori, Satki Ismaili.
 
Sa i përket problemit me gabimet e teksteve shkollore, ministri Shaqiri tha se libri i shoqërisë edhe përskaj vërejtjeve është lëshuar në shtyp, por për shkak të ligjeve ekzistuese nuk mund të ndëshkohet askush. 
 
“Ligji ekzistues në asnjë nen nuk e thotë se në qoftë se ka gabime të caktuara, të ketë përgjegjësi për autorët apo për recensentët. Ndryshimet ligjore janë iniciuar dhe për herë të parë një ndër gjërat që do të doja ta paralajmëroja te ligji i ri, sepse përveç që nxjerrim thirrje për autorë ne nxjerrim edhe thirrje për recensentë. Një ndër problemet janë edhe recensentët, të cilët ministria i komunikon, por nuk paraqitet askush në thirrje për të bërë recensuarën e një libri.”, - u shpreh ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
 
Është shqetësuese që pas shumë filtrave që kalon një libër, përsëri të ketë gabime, vlerëson profesori Naser Miftari. Për të eliminuar këto probleme, Miftari doli me propozim. 
 
“Do të ishte shumë mirë pasi që të kalon të gjitha filtrat një doracak dhe t’i jepet leje për shtyp, do të ishte mirë që vetëm një kopje të shtypet, të kthehet përsëri në ato filtra dhe pastaj të shtypet i gjithë teksti, sepse këtu është si duket një zbrazëtirë.”, - theksoi profesori, Naser Miftari. 
 
Ministri Shaqiri siguroi se probleme të tilla me mungesë librash dhe gabime të teksteve nuk do të ketë më në të ardhmen.
 
ERSAN PAJAZITI