Lufta në Ukrainë, luftimet në Bakhmut po intensifikohen

08.03.2023 14:40

Grupi paraushtarak rus "Wagner"....

Grupi paraushtarak rus "Wagner" krenohet me një triumf në Bakhmutin lindor. Sipas presidentit ukrainas Zelensky, rënia e qytetit do të nënkuptonte hapjen e rrugës për trupat ruse në qytete të tjera.

“Ministri Shoigu u tha se nëse kapim Bakhmutin, do të kemi hapësirë operative. Deri më tani, bota nuk është përballur me ushtrinë ruse, njësi të trajnuar mirë që ende nuk kanë hyrë në betejë, duke pasur të gjitha armët e mundshme moderne dhe pajisjet e inteligjencës. Të përgatitur në mënyrë perfekte, ata janë duke pritur për kohën e tyre, kohën pas hapjes së hapësirës operative të Wagner pas Bakhmutit. Por, kjo është një histori tjetër. Atëherë e gjithë bota do të dridhet.", - deklaroi kreu i grupit rus "Wagner", Yevgeny Prigozhin.

Lufta midis Ukrainës dhe Rusisë po rrit antagonizmin midis Lindjes dhe Perëndimit. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Guterres viziton Kievin. NATO kërkon ndihmë shtesë për Ukrainën. Britania e Madhe do të rrisë buxhetin e saj të mbrojtjes kombëtare vitin e ardhshëm.

Në Suedi, ministrat e mbrojtjes të BE-së vendosin për mbështetjen për Ukrainën, financimin dhe trajnimin e forcave të armatosura. Vëmendja e medias është rikthyer te sulmet e vitit të kaluar në tubacionin e gazit “Nord Stream” pas një raporti nga “New York Times”. Kievi hodhi poshtë akuzat e inteligjencës amerikane se grupe pro-ukrainase qëndronin pas tyre.

“Më duket e çuditshme kjo histori, sepse nuk ka të bëjë me ne. Hetimi do të përshkruajë çdo detaj. Ky është një kompliment për njësitë tona të posaçme, por aktiviteti nuk është i yni.”, - theksoi ministri i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov.

“Duhet të përcaktohet nëse ishte një grup ukrainas. Mund të ishte me kërkesë të Ukrainës apo pro-ukrainas pa dijeninë e qeverisë, por të mos nxitohemi në përfundime. Këto indikacione nuk janë të miat, por të ekspertëve. Nuk i atribuoj, por dua të theksoj se po flitet edhe për të ashtuquajturin operacion i rrejshëm.”.

Për Rusinë, raportet e mediave janë një përpjekje e koordinuar për të tërhequr vëmendjen. Si mund të supozojnë zyrtarët amerikanë diçka pa një hetim, pyet zëdhënësi i Kremlinit Peskov.

Dërgesat e gazit rus në Gjermani u ndaluan edhe para shpërthimeve në shtator, pasi Rusia mbylli “Nord Stream 1”, ndërsa “Nord Stream 2” nuk funksionoi fare. Shkaku i saktë i shpërthimeve nuk është përcaktuar, por dyshohet se bëhet fjalë për një sulm të organizuar. (Leunora Kaliqi, TVM2)