Maqedoni

Nënshkruhet marrëveshja me “Behtel & Enka”, për 5 vjet do të ndërtohen korridori 8 dhe 10D

08.03.2023 16:01

Qeveria nënshkroi marrëveshjen me konzociumin amerikano-turk “Behtel&Enka” për ndërtimin e Korridorit 8 dhe korridorit 10D...

Qeveria nënshkroi marrëveshjen me konzociumin amerikano-turk “Behtel&Enka” për ndërtimin e Korridorit 8 dhe korridorit 10D, në gjatësi prej 110 km. Përkatësisht bëhet fjalë për aksin rrugor Tetovë-Gostivar, Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë dhe Prilep-Manastir. Ndërtimi do të kushtojë 1.3 miliardë, ndërsa punimet planifikohet të përfundojnë për pesë vjet.

 
Sipas ekzekutivit, bëhet fjalë për projektin më të madh infrastrukuturor, projekt strategjik që lidh vendin me rajonin dhe botën dhe do të zhvillojë ekonominë.
 
“Përmes akseve të korridorit 8 dhe korridorit 10D, RMV-ja bëhet rutë edhe më e rëndësishme rajonale dhe botërore, dhe më dallueshme në hartën botërore historike. Më vjen mirë që prioritetet e Qeverisë bëhen realitet.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
“Vetëm për krahasim, në 30 vitet e fundit, shteti ka ndërtuar rreth 5 km në nivel vjetor, ndërsa me këtë projekt kemi 22-25 km në nivel vjetor. Dallimi është i madh. Cilësinë e punës së këtij konzorciumi e kemi parë në Serbi, Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Artan Grubi.
 
Përfaqësuesi i konzorciumit “Behtel & Enka”, Mark Alison, tha se projekti është sfidues dhe premtoi ndërtim cilësor.
 
“Behtel & Enka” kanë histori të gjatë të ofrimit të projekteve të komplikuara. E kemi marrë përgjegjësinë që të mbajmë standardet më të larta për këtë projekt. I gëzohemi fillimit të tij dhe ju faleminderit për besimin.”, - u shpreh përfaqësuesi i “Behtel & Enka”, Mark Alison.
 
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, tha se me buxhetin e këtij viti janë paraparë 244 milionë euro për ndërtimin dhe modernizimin e autostradave.
Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morri pjesë edhe ambasadorja e ShBA-ve, Anxhela Ageler dhe ambasadori i Turqisë, Hasan Mehmed Sekizkok.
 
SHPËTIM NUREDINI