Maqedoni
8 Marsi, Qerimi: Regjistrimi i trashëgimisë, tabu temë
08.03.2023 16:22
Barazia gjinore është një prej vlerave thelbësore të një shoqërie demokratike....

Barazia gjinore është një prej vlerave thelbësore të një shoqërie demokratike. Regjistrimi i trashëgimisë familjare nga femrat ende është shumë e vogël, thotë Arben Qerimi, zëvendësdrejtor i Agjencisë për Kadastër në RMV.
“Ka një ecuri të vogël, por jo në përqindje kush e di sa të madhe në nivel republikan. Kur flasim për trashëgiminë te ne shqiptarët, në shumicën e rasteve ka ngelë ajo tabu temë e pa thyer dhe shumë pak infiltrohet në trashëgimi. Besoj se me kalimin e kohës dhe me edukimin e gjeneratave të reja dhe arsimin më të plotë, duhet të tejkalohet ajo tabu temë.”, - deklaroi zëvendësdrejtori i kadastrës, Arben Qerimi.
Një shoqëri e cila investon në arritjen e barazisë gjinore, jo vetëm që çon në përmirësimin e jetës së vajzave dhe grave, por edhe në transformimin pozitiv të mënyrës së të jetuarit të djemve dhe burrave. Duke punuar drejtë barazisë gjinore, ne mund edhe të sfidimojmë rolet gjinore tradicionale. Rrjedhimisht, ndihmojmë jo vetëm në krijimin e mundësive të barabarta për të dy gjinitë, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve mes burrave dhe grave në trashëgimi. Sipas Qerimit, gjendja e regjistrimit të trashëgimisë, nuk është në nivel të mirë edhe në qytetet me shumicë shqiptare.
“Në qytetet ku dominojnë shqiptarët ende është gjendja jo e mirë. Për fat të keq ende nuk jemi të vetëdijesuar që trashëgiminë ta pranojnë edhe motrat tona që të mund ta shfrytëzojnë një pjesë të pasurisë së prindërve që e kanë lënë trashëgim.”, - theksoi zëvendësdrejtori i kadastrës, Arben Qerimi.
Të sfiduarit e stereotipeve për rolet gjinore dhe krijimi i mundësive të barabarta në trashëgimi, si për burra ashtu edhe për gra, do të ndihmonte po ashtu që ngadalë të bëhet zhvendosja e rolit tradicional ku burri shihet si shtylla e familjes, i cili pritet t’ia kushtojë jetën e tij punës për të siguruar mirëqenien e familjes, duke e privuar kështu nga pjesëmarrja në jetën familjare.
SAFET ADEMI
