Shëndetësi, ministri i ri shpalosi prioritetet, VMRO-DPMNE: Për pushtetin, pacientët nuk janë të rëndësishëm

08.03.2023 17:04

Ministri i ri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti....

Ministri i ri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, paralajmëroi zgjidhjen e problemeve të vjetra në digasterin që do ta drejtojë. Ai thotë se do të nisë nga kaosi me trafikun në qendrën klinike, prioritet do të jetë gjithashtu përditësimi i listës pozitive të barnave që nuk është rinovuar për më shumë se një dekadë.

Edhe për Mexhitin prioritet është ndërtimi i një qendre të re klinike, edhe pse përballet me kërkesën për dëmshpërblim, për shkak të zgjidhjes së kontratës nga kompania italiane që duhej të ndërtonte qendrën klinike.

“Prioritetet ne i kemi, ajo që e thash e para që është shumë me rëndësi, gjendja kaotike në komunikacion të qendrës klinike, e dyta dhe shumë me rëndësi që ne të kemi kujdes ndaj pacientëve me terapi moderne më inovative, kjo do të jetë lista pozitive e barnave që nuk është ndryshuar më se 10 vite. Nuk kemi ne qendër urgjente internistike bashkë me triazhin për trajtimin e pacientëve. Tjetra që është shumë me rëndësie që është përfolur shumë kohën e fundit është qendra klinike, ne do ta vazhdojmë atë projekt.”, - deklaroi ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Mexhiti thotë se domosdo duhet gjetur zgjidhje për rritjen e pagave të punëtorëve shëndetësorë.

“Nuk ka, nuk mundet, patjetër të gjendet një zgjidhje. Kemi mbështetjen e kryeministrit direkt për të nisur gjërat përpara në shëndetësi, shëndetësia duhet të funksionojë, nuk kemi rrugëdalje tjetër, është për të mirën e të gjithëve.”, - theksoi ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.

Ministri i ri i shëndetësisë konfirmoi se 6 klinika do të kenë drejtorë të rinj. VMRO-DPMNE për këtë lëvizje thonë se pacientët nuk janë të rëndësishëm për qeverinë.

“Kaq shumë drejtorë klinikash nuk janë ndërruar as për shkak të aksidenteve, as për shkak të pacientëve të vdekur, as për shkak të mungesës së mjeteve mjekësore, tenderëve, skandaleve, tmerreve kriminale korruptive apo për shkak të kushteve të këqija të stafit mjekësor të pakënaqur! Për Kovaçevskin, nuk kanë rëndësi pacientët, por shpëtimi i Artan Grubit.”, - theksoi Naum Stoilkovski nga VMRO-DPMNE.

Veç prezantimit të prioriteteve në mandatin e tij, ministri i shëndetësisë nuk bëri të ditur se kur do të nisë zbatimin e tyre. (Vlora Latifi Topojani, TVM2)