Në ditën ndërkombëtare të gruas, politikanët urojnë gratë
Çdo grua ka të drejtën e zgjedhjes së lirë...

Çdo grua ka të drejtën e zgjedhjes së lirë sa i përket familjes, arsimit, profesionit, punës, karrierës, zhvillimit, veprimin politik dhe pjesëmarrjen në jetën publike, tha presidenti Stevo Pendarovski në urimin me rastin e 8 Marsit, ditës ndërkombëtare të gruas. Sipas tij, asnjë shoqëri nuk mund të zhvillohet nëse gjysma e popullsisë përjashtohet nga ai zhvillim.
“Ne duhet të avokojmë për pjesëmarrje më të madhe politike të grave, një numër më të madh të grave në pozita udhëheqëse, për të zbatuar politika, në të cilat do të planifikojmë nevojat e grave, buxhete që do të kenë dimensionin gjinor. Të krijojmë një mjedis social që do të mundësojë përfshirjen e më shumë grave, jo të përjashtuara.”, - deklaroi presidenti, Pendarovski.
Gratë meritojnë mirënjohje për guximin, këmbënguljen, dinjitetin dhe luftën e tyre në të gjitha frontet. Dhe jo vetëm në këtë ditë, por çdo ditë, potencon kryeministri, Dimitar Kovaçevski, në urimin e tij.
“I mbështes plotësisht dhe pa rezerva në përpjekjet e tyre për të njohur rolin e tyre të përjetshëm në shoqëri, ku krah për krah burrave arrijnë suksese të mëdha në sfera të ndryshme dhe me aftësitë dhe cilësitë e tyre fshijnë kufijtë dhe pengesat për brezat e ardhshëm. Gratë e vendosura dhe të forta janë shtytëse të shoqërisë!, Gëzuar 8 Marsin!”, - theksoi kryeministri, Kovaçevski.
Nuk mjafton vetëm angazhimi deklarativ për barazinë gjinore, siç bën qeveria aktuale, kjo është një nënvlerësim i inteligjencës së grave, nevojiten ndryshime rrënjësore, potencon kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hrsitijan Mickovski, në urimin e tij.
“Nuk mjafton që qeveria të qëndrojë për barazinë dhe gratë, ashtu si burrat, të zhyten në varfëri, sepse qeveria është kriminale dhe vjedh.Duhen hapa të mëdhenj përpara. Duhet angazhim real dhe synime të sinqerta, jo për pikë politike, por për një të ardhme më të mirë të fëmijëve tanë. Gëzuar 8 Marsin! Ndryshimet do të vijnë.”, - u shpreh Mickovski nga VMRO-DPMNE.
Dita Ndërkombëtare e Gruas kremtohet 113 vite dhe e njejta solli ndryshime të mëdha për gratë në fushën e të drejtës së votës, ekonomisë, punësimit, angazhimit politik dhe barazisë. Ditën ndërkombëtare të gruas e uruan edhe liderët e partive politike shqiptare. (Flutura Latifi, TVM2)
