Maqedoni
Ligji i ri për libra në MASh garanton libra në kohë dhe pa gabime
09.03.2023 12:33
MASh është duke përgatitur draft-versionin e parë të Ligjit të ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm...

MASh është duke përgatitur draft-versionin e parë të Ligjit të ri për tekstet shkollore në arsimin fillor dhe të mesëm, për të cilin po punon një grup i përbërë nga përfaqësues të disa institucioneve dhe palëve të interesuara në procesin arsimor.
Kjo është një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Shërbimit Pedagogjik, me të vetmin qëllim që të përmirësojë cilësinë e përmbajtjes së teksteve shkollore, të zvogëlojë gjasat për gabime të natyrave të ndryshme, gabimeve në përmbajtje dhe në të njëjtën kohë të thjeshtojë procesin e furnizimit dhe dërgimit në kohë në shkolla, thuhet në komunikatën e MASh-it.
“Nevoja për një zgjidhje të re ligjore në interes të sistemit arsimor dhe cilësisë së procesit arsimor në vend është më se e dukshme për shkak të domosdoshmërisë së vendosjes së më shumë filtrave shtesë për kontroll gjatë përgatitjes dhe miratimit të përmbajtjes së teksteve shkollore, por edhe gjetje të mënyrës për të nxitur sa më shumë konkurrencën, me qëllim që të jetë sa më i madh numri i autorëve me dorëshkrimet e tyre, si dhe recensentëve për miratimin e dorëshkrimeve për të aplikuar në shpalljet publike”
Zgjidhja e re ligjore do të integrojë të gjitha propozimet konstruktive që kanë mbërritur në adresën e Ministrisë së Arsimit që nga janari, kur opinioni i gjerë u ftua të jepte komente dhe sugjerime për zgjidhjen ekzistuese ligjore, e cila është bazë për zhvillimin e një zgjidhje të re, më të mirë.
Debati publik do të vazhdojë me përcjelljen e projekt-zgjidhjes ligjore në Qeveri, prej nga do të publikohet në sistemin ENER dhe më pas do të përcillet në Kuvend për diskutim dhe miratim përfundimtar.
FLUTURA LATIFI
