Maqedoni
“Fredoom House”, RMV pjesërisht vend i lirë, 68 pikë nga gjithsej 100
09.03.2023 14:57
Maqedonia e Veriut edhe këtë vit mbetet në mesin e vendeve "pjesërisht të lira"...

Maqedonia e Veriut edhe këtë vit mbetet në mesin e vendeve "pjesërisht të lira", tregon raporti i “Fredoom House” i titulluar "Liria në botë". RMV ka indeks vjetor të lirisë prej 68 pikë nga 100 të mundshme, që është përmirësim për një pikë indeksi në krahasim me vitin e kaluar.
Për ilustrim, vendi, vitin e kaluar u vlerësua me 67 pikë, 66 pikë në 2021 dhe 63 në 2020. Raporti për liritë në vitin 2022, vë në dukje dy pika më shumë në të drejtat politike, ndërsa pikat për liritë civile mbetën të njëjta – 39.
Shumica e vendeve të rajonit janë në të njëjtin grup. Serbia është në vendin e 16-të, në mesin e vendeve me një rënie dramatike të lirisë në 10 vitet e fundit, me një rënie prej 18 pikësh dhe është vendosur mes Afganistanit dhe Mianmarit.
Por, ende e konsideruar si vend pjesërisht i lirë, edhe Kosova është në grupin e vendeve pjesërisht të lira, por që tregon një zhvendosje pozitive për katër pikë në vitin 2022. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë notën 67, Bullgaria 79, Kroacia 84 dhe Greqia 86. Indeksi më i lartë i lirisë në mesin e vendeve të rajonit është Sllovenia – 95, ndërsa më e ulëta është Bosnja e Hercegovina – 52.
Vendet me liritë më të mëdha në botë janë Suedia, Norvegjia dhe Finlanda me maksimum 100 pikë, ShBA ka 83, Rusia 16, Kina 9 dhe Ukraina 50. Turqia, shënon 32 pikë dhe vlerësohet si vend jo i lirë me pikët më dobëta të përgjithshme në rajon. Vendet me më pak liri janë Koreja e Veriut me tre dhe Siria me një pikë.
“Fridom Haus” në raportin e fundit vëren se liria globale po zvogëlohet për të 17-in vit radhazi. Pushtimi rus ka çuar në shkelje katastrofale të të drejtave të njeriut në Ukrainë, ndërsa kthesat e reja dhe përpjekjet e tjera për të minuar autoritetet e zgjedhura kanë destabilizuar Burkina Fason, Tunizinë, Perunë dhe Brazilin, vlerëson organizata.
FLORIJE BELULI KAMBERI
