Maqedoni

Ministria e ambientit, program 10 vjeçar për ujërat nëntokësore

09.03.2023 15:14

Pjesa më e madhe e komunave kanë sisteme të vjetruara të ujësjellësit...

Pjesa më e madhe e komunave kanë sisteme të vjetruara të ujësjellësit, prandaj humbjet e ujit janë të mëdha, deklaroi Ministrja e ambientit, Kaja Shukova, duke iu referuar kredisë prej 50 milionë eurosh për të ndihmuar komunat për infrastrukturën ujore.
 
Ministrja Shukova këto komente i bëri gjatë promovimit të programit 10 vjeçar për menaxhimin, shfrytëzimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësore. 
 
“Ne e dimë prej vitesh se humbjet e ujit janë të mëdha, fatkeqësisht një pjesë e madhe e komunave kanë ujësjellës të vjetruar. Në atë drejtim është edhe kredia e dytë që shteti merr nga Banka Evropiane e Investimeve në shumën prej 50 milionë eurosh, e cila duhet t'i ndihmojë komunat në fushën e ujësjellësit, që nënkupton ndryshimin e sistemeve apo për ndërtimin e sistemit të ri të ujësjellësit.”, - deklaroi ministrja e ambientit jetësorë, Kaja Shukova.
 
Në pyetjen se kur do të fillojë ndërtimi i stacionit filtrues në Shkup, Shukova me përgjigje se projekti më në fund po shkon në drejtimin e duhur.
 
“Janë nënshkruar disa kontrata që është dashur të nënshkruhen nga "Ujësjellës-Kanalizimi" dhe Qyteti i Shkupit dhe mendoj se pothuajse mund të presim fillimin e këtij projekti. Në ditët në vijim do të nënshkruhet njëra nga marrëveshjet, me të cilën sigurojmë fonde granti për këtë projekt. Ne iu drejtuam fondeve të BE-së për të siguruar para për këtë projekt, të cilat do të lehtësojnë kredinë që kemi nga dy bankat. Marrëveshje për grant do të nënshkruhet në fund të këtij muaji, kështu që mendoj se do të fillojë në muajt e ardhshëm.”, - theksoi ministrja e ambientit jetësorë, Kaja Shukova.
 
Ambasadorja e Zvicrës në Maqedoninë e Veriut, Veronik Ulman, thekson se pothuajse 100 për qind e ujit të pijshëm në vend vjen nga rezervat nëntokësore. Ajo informoi se tashmë kanë filluar disa aktivitete me përgatitjen e Kadastrës së ujërave nëntokësore.
 
"Programi për përgatitjen e kadastrës së ujërave nëntokësore do të zgjasë për disa vite, ne jemi këtu për të ndihmuar në planin afatgjatë, por patjetër të fillojmë të veprojmë tani.", - u shpreh ambasadorja e Zvicrës, Veronik Ulman.
 
Ujërat nëntokësore në vend pothuajse nuk kanë mbrojtje, edhe pse i gjithë Shkupi dhe 70 për qind e komunave pinë ujë nga këto burime, u tha në promovimin e Programit dhjetëvjeçar për menaxhimin, përdorimin dhe mbrojtjen e ujërave nëntokësore në vend, i cili do të realizohet me mbështetjen e Qeverisë zvicerane përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe me të cilën do të duhet të vendoset menaxhim afatgjatë, shumë nivelësh, sistematik dhe i qëndrueshëm i burimeve ujore nëntokësore.
 
GYLTENE SINANI