BE, 80 milion euro për RM-në, Kovaçevski: Ndihmesa, pjesë e masave antikrizë
Bashkimi Evropian i transferon Maqedonisë së Veriut....

Bashkimi Evropian i transferon Maqedonisë së Veriut 80 milion euro, mbështetje financiare për të subvencionuar qytetarët në pagesat e faturave të rrymës, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe investim në burime ripërtëritëse të energjisë elektrike.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski theksoi se fondet janë pjesë e masave antikrizë.
“Këto fonde janë ndihmesë buxhetore për shtetin tonë. Ato do të jenë pjesë e buxhetit në masat antikrizë. Duke pasur parasysh se ne me buxhetin kemi parashikuar 225 milion euro si fonde për përballjen me krizën energjetike, edhe këto para janë pjesë e këtyre mjeteve të cilat do të shfrytëzohen për masa që do të aplikohen gjatë këtij viti.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Gir: Fondet të përfundojnë tek qytetarët
Euroambasadori Gir theksoi rëndësinë e realizimit të ndihmës financiare dhe e njëjta të përfundojë tek qytetarët.
“Mbështetja jonë është e ndërthurur me plan aksionar, i cili duhet të sigurojë zbatimin e reformave në sektorin e energjisë dhe duhet të zbatohet plotësisht. Paratë nuk janë vetëm numra, por janë njerëz, nuk janë obligime abstrakte, por ndihmesë praktike për të siguruar mbrojtje që të ndihmohet ndërtimi i një të ardhme të gjelbër të përbashkët, pasi që e ardhmja jonë e përbashkët shtrihet në BE.”, - theksoi ambasadori i BE-së, Dejvid Gir.
Me 80 milion euro të BE-së do të përfshihen kategoritë e prekura, rreth 172 mijë persona, prindër të vetëm që rrisin fëmijët, të papunë, të cilët kanë nevojë për mbrojtje sociale, 470 shkolla, 67 ndërmarrje komunale, kompani të industrisë së ushqimit si dhe institucione shëndetësore. (Meral Ismaili, TVM2)
