Botë
Seri sulmesh në të gjithë Ukrainën, 11 viktima nga bombardimet ruse, Bakhmuti në shënjestër
10.03.2023 16:05
Të paktën 11 civilë u vranë në një sulm masiv raketor të nisur nga Rusia...

Trupat e mbrojtjes së Ukrainës janë përballur me një valë të re sulmesh ruse në qytetin lindor të Bakhmutit, prej ku beteja për kontrollin e këtij qyteti lindor ukrainas ka sjellë pasoja të mëdha njerëzore për të dyja palët.
Moska lëshoi 80 sulme me rreze të gjatë kundër infrastrukturës ukrainase gjatë sulmit, gjë që bëri që termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia, më i madhi i këtij lloji në Evropë, të humbasë përkohësisht energjinë.
“Lajmi i keq është se Rusia nuk i ndal sulmet e saj barbare. Ajo përsëri ka goditur Ukrainën. Infrastruktura kritike sulmohet gjatë natës dhe gjatë takimit tonë janë lëshuar më shumë se 80 raketa nga rusët, pra, raketa dhe dronë. Një tjetër sulm masiv gjatë natës në të gjithë vendin, duke vrarë civilë të pafajshëm dhe duke shkaktuar dëme serioze.”, - deklaroi përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.
"Kur ishim tashmë në vend, ishte një predhë që goditi një shtëpi. Fatkeqësisht, një burrë 35 vjeç u vra dhe një burrë tjetër 38 vjeç mbeti i plagosur.”, - theksoi kreu i zyrës së shtypit të administratës ushtarake, Oleksandr Tolokonnikov.
Forcat ruse kryen 102 sulme brenda dhe rreth Bakhmutit, në një përpjekje për të rrethuar qytetin. Përveç kësaj, luftime të ashpra u zhvilluan edhe në pjesë të tjera të rajonit të Donjeckut, duke përfshirë qytetet Liman, Avdijivka dhe Shaktarsk. Në Rubizhni, rajon fqinj i Luhanskut, Ukraina akuzoi forcat ruse se po përdornin civilët si mburojë njerëzore.
"Pushtuesit mund të terrorizojnë vetëm civilët. Kjo është gjithçka që ata mund të bëjnë. Por, kjo nuk do t'i ndihmojë ata. Ata nuk do të shmangin përgjegjësinë për gjithçka që kanë bërë.", - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Rusia vazhdimisht ka mohuar sulmet ndaj civilëve, edhe pse dëshmitë tregojnë të kundërtën. Rusia tha se sulmet në objektivat civile ukrainase ishin një "goditje masive" në përgjigje të një "sulmi terrorist" të organizuar nga Ukraina në rajonin Bryansk të Rusisë, që kufizohet me Ukrainën, javën e kaluar.
Kievi zyrtar e mohon çdo përfshirje dhe thotë se Moska mund të jetë duke kërkuar dhe shpikur arsye për të zhvilluar sulme të reja në Ukrainë.
FARIJE DAUTI BAKIJU
