Botë

Masakër mes dëshmitarëve të Jehovait, mbetën të vdekur 8 persona, sulmuesi bëri vetëvrasje

10.03.2023 16:41

Hamburgu i Gjermanisë kaloi një natë terrori, pasi një person i armatosur hapi zjarr në një kishë...

Hamburgu i Gjermanisë kaloi një natë terrori, pasi një person i armatosur hapi zjarr në një kishë të “Dëshmitarëve të Jehovait” në lagjen Altersdorf, duke lënë pas 8 të vdekur e shumë të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë.
 
Sipas policisë, agresori, i cili mendohet të ketë vdekur duke bërë vetëvrasje, ka vepruar i vetëm. Dëshmitarë okularë rrëfejnë se gjithçka ndodhi shumë shpejt.
 
“Autori u arratis në katin e dytë, kur mbërritën shërbimet e urgjencës dhe më pas vrau veten atje, duke shkaktuar gjithsej tetë të vdekur. Midis viktimave është edhe një foshnjë shtatë muajshe, e cila u godit në barkun e nënës.”, - theksoi Andy Groth.
 
“Unë jam një banor i zonës, dëgjova të shtëna e u afrova të dritarja që të shihja ç’po ndodhte, kur pashë dikë që po qëllonte me armë. E filmova me celular. Në fillim nuk e kuptova se çfarë po ndodhte, vetëm kur bëra zoom pashë se dikush po qëllonte mbi dëshmitarët e Jehovait.”, - tha dëshmitari, Gregor Miesbach. 
 
Pas kësaj masakre qytetarët thonë se nuk ndjejnë siguri.
 
“Kjo është e tmerrshme, kjo nuk duhej të ndodhte, posaçërisht jo në Hamburg. Gjithmonë kam menduar që jemi të sigurt këtu, por siç e shihni, çdokush mund të jetë viktimë.”, - u shpreh banori në Hamburg, Ali Shavi.
 
Kancelari gjerman, Ollaf Shollc, ka shkruar në twiter duke potencuar se ky është akt brutal i dhunës.
 
“Disa anëtarë të komunitetit Jehova dje në mbrëmje janë bërë viktimë e një akti brutal të dhunës, mendimet e mia janë tek ata dhe të afërmit, si dhe tek forcat e sigurisë dhe shpëtimit që kanë kaluar një natë të rëndë.”, ka shkruar Scholz në Twitter.
 
Komisari për punë të brendshme, Johanson,e ka dënuar sulmin, brenda objektit  që përdorej si kishë nga dëshmitarët e Jehovait në Hamburg.
 
“Sulmet janë gjithmonë të neveritshme, por sulmet  ndaj vendeve të adhurimit, të cilat sipas  definicionit janë vende  paqeje, janë vërtet tronditëse.”, - theksoi komisionerja evropiane për çështje të brendshme, Ilva Johanson.
 
Hetimet po vazhdojnë dhe ende nuk ka informacione të sakta për motivin e sulmit. Sipas revistës “Der Spiegel”, autori i ngjarjes së rëndë është një ish-anëtar i këtij komuniteti fetar, i  moshës 30 deri në 40 vjeç, Philip F.
 
GYLTENE SINANI