Maqedoni

Ndryshimet kushtetuese, Kovaçevski: VMRO-DPMNE me moral të dyfishtë

10.03.2023 16:59

Qeveria dhe Kuvendi janë funksional, shumica parlamentare është rritur...

Qeveria dhe Kuvendi janë funksional, shumica parlamentare është rritur, ndërsa zgjedhje të parakohshme nuk do të ketë, thotë kryeministri Dimitar Kovaçevski. Por, a do të mund të sigurohet shumicë parlamentare për ndryshimet kushtetuese, të domosdoshme për vazhdimin e negociatave për anëtarësim në BE, Kovaçevski thotë se është detyrim i çdo deputeti të veprojë në drejtim të përcaktimit të vendit për anëtarësim në Union.
 
Akuzoi opozitën e kryesuar nga VMRO-DPMNE për moral të dyfishtë. Sipas tij, opozita fshihet pas popullit, ndërsa në ambasada premton miratimin e ndryshimeve kushtetuese nëse kthehen në pushtet.
 
“Ata shkojnë nëpër ambasada dhe thonë: “na jepni pushtet, pastaj në jepni pak kohë të ambientohemi dhe më pas do të ndryshojmë kushtetutën. Tani pyetja është se kë po gënjejnë?! A po i gënjejnë qytetarët se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese apo gënjejnë ambasadat e huaja se do të përkrahin ndryshimet kushtetuese?! Le të dalin ta thonë këtë. Lidership është të marrësh vendime për të ardhmen e gjeneratës së tashme dhe të ardhshme dhe jo të fshiheni pas popullit. E vetmja që po bën VMRO-DPMNE është se ajo po fshihet pas popullit. Tjetër gjë flet në ambasada dhe tjetër gjë para popullit.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
VMRO: S’i japim kredibilitet një procesi jokredibil
 
Mirëpo, VMRO-DPMNE konsideron se veç saj edhe një pjesë e madhe e deputetëve të LSDM-së nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese.
 
“Është e qartë se Kovaçevski jo vetëm që s’ka shumicë për ndryshimet kushtetuese, por një pjesë e madhe e deputetëve të LSDM-së nuk do të përkrahin ndryshimet kushtetuese, prandaj Kovaçevski ka frikë dhe po shpërndan mjegull.”, -thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së. 
 
Partia e Mickovskit fton Kovaçevskin, që të zbulojë ambasadorët që thonë se VMRO-DPMNE është e gatshme të miratojë ndryshimet kushtetuese nëse kthehet në pushtet. 
 
“VMRO-DPMNE nuk do të merr pjesë në grupin punues për ndryshimet kushtetuese, pasi nuk i japim kredibilitet një procesi jokredibil.”- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.  
 
SHPËTIM NUREDINI