Lajçak në Prishtinë: Takimi ka përmbushur qëllimet

10.03.2023 18:35

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian...

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pas takimeve me opozitën kosovare, u pyet nga mediat rreth shqetësimit se partitë opozitare nuk do të ratifikojnë marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kur të arrin në Kuvendin e Kosovës.

“Qëllimi kryesor i kësaj vizite është të shohim se si e sheh Kosova zbatimin dhe ky takim ka përmbushur, pritjet e mia në atë kontekst. Mendoj se është e rëndësishme për mua të takohem me partitë opozitare dhe unë takova  dhe i informova për procesin për pritshmëritë e komunitetit ndërkombëtar, ata shpjeguan pozicionet e tyre partiake, pra është gjithçka përgatitje e takimit të 18 marsit. Është gjithashtu e rëndësishme që ta dëgjojnë nga unë ata dhe jo vetëm nga mediat ose parlamenti. Dhe për mua takimi e ka përmbushur qëllimin.”, - deklaroi emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.

Emisari Lajçak, është pritur nga kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj dhe ai i PDK-së, Memli Krasniqi.

AAK-ja e mbështet propozimin evropian

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj është deklaruar në lidhje me takimin. “Për Aleancën për ardhmërinë e Kosovës, kjo marrëveshje është me interes nacional, pasi që e siguron rrugëtimin tonë të qëndrueshëm drejt integrimeve euro-atlantike”, shkroi Haradinaj.

Krasniqi: Shpreha rezervat që i kemi për marrëveshjen

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se PDK-ja ka rezerva sa i përket planit franko-gjerman.

“Fatkeqësisht ajo që kemi sot në tavolinë është një marrëveshje e përkohshme, jo me njohjen e ndërsjellë, por me Asociacionin në qendër. Pa dyshim që ne s’mund të flasim për produktin aktual, pasi  diskutuam për rrugën si kemi arritur këtu, sepse këtu konskekuencat kanë edhe arsye.”, - theksoi kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Zyra e BE-së, ka bërë të ditur agjendën e takimeve të 18 marsit që do të mbahen në Ohër. Përveç kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit serb, Vuçiç,  të pranishëm do të jenë edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, Xhozef Borel, bashkë me emisarin e BE-së për dialogun Miroslav Lajçak. (Safet Ademi, TVM2)