Maqedoni

RMV, 80 vjet nga deportimi i hebrenjve në Treblinka

11.03.2023 17:56

Komuniteti hebraik në Maqedoninë e Veriut shënoi 80 vjetorin e deportimit dhe holokaustin e 7 mijë e 144 hebrenjve..

Komuniteti hebraik në Maqedoninë e Veriut shënoi 80 vjetorin e deportimit dhe holokaustin e 7 mijë e 144 hebrenjve të Maqedonisë së Veriut në kampin e përqendrimit, Treblinka.
 
Natën midis 10 dhe 11 marsit të vitit 1943 janë arrestuar të gjithë hebrenjtë në Maqedoni dhe janë burgosur në Monopol, sot Kombinati i duhanit, i cili atëherë ishte kamp përqendrimi i përkohshëm. Më së shumti hebrenj ka pasur nga Manastiri, Shkupi dhe nga Shtipi dhe nga disa familje nga qytetet më të vogla. Sipas evidencës së autoriteteve të atëhershme okupuese bullgare dhe gjermane, janë arrestuar 7.144 hebrenj. 
 
Më 11 mars ishin mbledhur në vagonë për transportin e kafshëve dhe nga Manastiri dhe Shtipi së bashku janë sjellë në Monopolin e Shkupit, ku kanë qëndruar deri në fund të muajit mars në kushte ekstreme të rënda higjienike dhe psikologjike. Në Treblinkë janë vrarë 98 për qind nga komuniteti hebrej në Maqedoninë e Veriut në vitin 1943, që është përqindja më e madhe në botë. Sipas vlerësimeve në Treblinkë janë vrarë rreth 900 mijë njerëz, prej të cilëve mbi 750.000 hebrenj.