Maqedoni

Kumanovë, Mexhit Mehmeti, fitues i çmimit “Fadil Bekteshi’’ në Takimet Poetike të Karadakut

12.03.2023 14:24

Në kujtim të protestave studentore të11Marsit të vitit 1981, në Kumanovë dhe Likovë u mbajtën “Takimet Poetike të Karadakut’’...

Në kujtim të protestave studentore të11Marsit të vitit 1981, në Kumanovë dhe Likovë u mbajtën “Takimet Poetike të Karadakut’’, të 31-at me radhë organizuar nga Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut’’.
 
Kryetari Fatos Rushiti, gjatë fjalës përshëndetëse, vuri në dukje nismat për bashkëpunim mes klubeve letrare në hapësirat shqiptare, duke qenë kritik ndaj Qeverisë së Shqipërisë për mungesën e përkrahjes së iniciativave kulturore me interes kombëtar.
 
“Klubi i shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”, klub i cili tashmë po hynë në rrjedhat e historisë sa i përket misionit të saj drejtë avancimit të kulturës shqiptare në vecanti të artit dhe letërsisë. Atë që se bën dot shteti shqiptar, edhe përkundër asaj se e ka obligim kushtetues nuk krijon asnjë modalitet bashkëpunimi mes shqiptarëve në fushën e kulturës dhe arsimit e ne jemi ata që duhet ta bëjm.”, tha ndër të tjera kryetari i KSH “Jehona e Karadakut”, Fatos Rushiti.
 
Sa i përket çmimeve, Juria letrare në përbërje, Donika Dabishevci, Sunaj Raimi, dhe Arben Rashkaj, me çmimin kryesor “Fadil Bekteshi’’ lauroi poetin Mexhit Mehmeti, me çmimin “Doruntina’’ poetin Ali Qerimi dhe me çmimin “Jehona Poetike’’ poeten Afërdita Selenica. Ndërkaq me mirënjohje të veçantë u dekorua poeti Ligor Shyti, kryetar I Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve “Naim Frashëri” nga Përmeti i Shqipërisë.
 
Në Orën Letrare me krijimet e tyre letrare u paraqitën poetët: Nehas Sopaj, Mexhit Mehmeti, Daim Iljazi, Elizabeta Isufi, Ejup Ajdini, Ali Qerimi, Afërdita Selenica, Janaq Jano, Elmira Rama, Sarë Gjergji, Arben Ibrahimi, Bilall Maliqi, Mustafë Ibrahimi, Selajdin Shabani, Shefqete Gosalci, Ismail Baftjari, Mirela Isufi, Mirela Hoxha, Bekim Kelmendi, Avni Shaqiri, Shqipe Hasani, Fadil Abazi dhe Rexhep Abazi. Të gjithë pjesëmarrësve të orës letrare nga Klubi iu dhurua revista për kulturë, letërsi, art dhe shkencë “Doruntina’’ me kryeredaktor Sevdail Demirin.
 
Paraprakisht në Likovë, nën kujdesin e kryetarit të Komunës Erkan Arifi, u mbajt tryeza letrare me temën “Kahet e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe’’ ku pati një debat frytdhënës për bashkëkohësinë e poezisë shqipe, me theks vendin e saj në letërsinë e vendeve të rajonit.
 
FATLUM AQIFI