Botë

Kurti: Marrveshja me Serbinë avancim drejt njohjes

12.03.2023 17:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, beson se marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, beson se marrëveshja bazë mes Kosovës dhe Serbisë është një avancim drejt njohjes së ndërsjellë mes dy shteteve. Dokumenti prej 11 nenesh që u bë publik nga BE-ja – nuk përmend në mënyrë specifike njohjen e ndërsjellë, megjithatë, në nenin 2 të propozimit thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës. 
 
“Besojmë se normalizimi i plotë i marrëdhënieve kërkon një njohje të ndërsjellë në qendër të marrëveshjes, si dhe respektim për të drejtat e minoriteteve në të dy shtetet.”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Në një video-mesazh të dërguar në edicionin e 11-të të Forumit të Mannheimit në Gjermani, Kurti flet për takimin e 18 marsit që pritet të mbahet në Ohër, e ku përmendi refuzimin e Serbisë për t’u dakorduar për marrëveshjen e propozuar nga BE-ja. Ai tha se në takimin trilateral në Bruksel më 27 shkurt, i ka ofruar mundësinë që të nënshkruaj marrëveshjen bazë në emër të Republikës së Kosovës.
 
“Fatkeqësisht presidenti i Serbisë refuzoi. Refuzimin, ai e bëri publik pasi doli nga takimi. Javën e ardhshme ne përsëri do të takohemi në Ohër, në Maqedoninë e Veriut.”, tha Kurti.
 
Rundi i ri i dialogut është caktuar të mbahet më 18 mars në Ohër dhe sipas BE-së, qëllimi kryesor tani është që palët të arrijnë pajtim rreth një plani si dhe modaliteteve për zbatimin e propozimit evropian.
 
REXHEP QAMILI