Përmbytjet, përllogariten dëmet e mëdha
Përmbytjet e fundit si pasojë e reshjeve intensive të shiut, kapluan edhe Fabrikën për ujë të pijshëm “Suna” në Manastir...

Dëmet llogaritet të jenë të mëdha dhe të njëjtat kapin vlerën e rreth 50 mijë eurove dhe mbi 50 punëtorëve në shtëpi. Përfaqësuesit e Ministrisë së Transportit, si dhe deputeti i BDI-së i kësaj zone vizituan këtë fabrikë dhe rajonin përreth për t’u njoftuar për së afërmi me dëmet e shkaktuara.
“Erdhëm për vizitë në Komunën e Novacit dhe në Fabrikën “Suna”, shihet se u është bërë dëm jashtëzakonisht shumë. Shpresojmë nga institucionet komunale që në të ardhmen do të bëjnë një vlerësim real dhe do të procesohen në institucionet qendrore”- deklaroi zëvendësministri i Transportit, Nimetulla Halimi.
“Unë si përfaqësues i kësaj zone, si deputet, kam ardhur të vizitoj këtë rajon, këtë fabrikë, ta shoh dëmin i cili u është shkaktuar në këtë fabrikë. Mendoj që do të japim maksimumin që t’iu ndihmojmë, t’iu dalim në ndihmë që me të vërtetë ky dëm që u është bërë, t’i ndihmojmë që në të ardhmen të mos kenë probleme të tilla”- tha deputeti i BDI-së, Musa Ibraimi.
Dy ditë pas reshjeve të mëdha të shiut, akoma makinat e punës, malli dhe gjithçka që posedon fabrika “Suna” edhe sot mbeti nën ujë. Udhëheqësit e kësaj fabrike thonë se përmbytjet e këtij lloji kanë ndodhur para 30 vitesh, por për dallim nga ajo kohë, përmbytjet e fundit u bënë për më pak se 30 minuta, duke mos pasur mundësi për të shpëtuar asnjë send.
Ndërkohë, lumi Vardar në Veles gjatë ditës së sotme doli nga shtrati i tij. Kjo përmbytje është e dyta herë që po ndodh në zonën e Reçanit dhe Shorkës në këtë qytet. Sipërfaqe të mëdha me kultura të hershme pjellore janë tërësisht nën ujë, ndërsa banorët e kësaj zone u evakuuan nga shtëpitë e tyre.
Mbushja e madhe me ujë e lumit Vardar shkaktoi përmbytje në zonën e Vallandovës dhe Gjevgjelisë. Kompetentet thonë se gjendja e rrezikut nga vërshimet e reja akoma ekziston, aq më tepër kur sinoptikanët parashohin që edhe gjatë këtyre ditëve të ketë reshje intensive të shiut dhe borës.
Në terrenin e Novacit dhe Mogilës, situata llogaritet të jetë më stabile se sa ditëve të kaluara, por mijëra hektarë tokë, mes të cilave dhe toka të punuara bujqësore, vazhdojnë të mbeten nën ujë. (Rexhep Qamili, TVM2)
