Maqedoni
Gjykimi i Zeqirit shtyhet me rekomandimin e një psikiatri
13.03.2023 17:39
Gjykata Themelore Penale, Shkup ka njoftuar se gjykimi i ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri...

Gjykata Themelore Penale, Shkup ka njoftuar se gjykimi i ish-sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Muhamed Zeqiri, është shtyrë për një kohë të pacaktuar, për shkak të gjendjes jo të mirë së tij psikike.
Tre deri në katër javët e ardhshme nuk do të mbahet asnjë seancë gjyqësore për lëndën në të cilën i akuzuari kryesor është Muhamed Zeqiri. Nga Gjykata Penale përmes një kumtese potencuan se seancat do të shtyhen për shkak të (siç thonë ata), destabilizimit të gjendjes psikike të të akuzuarit Muhamed Zeqiri.
“Në gjykatë është dorëzuar ekspertiza e re e ekspertit – psikiatër, sipas të cilit, për shkak të gjendjes psikike të të akuzuarit Muhamed Zekirit, rekomandohet shtyrja e gjykimeve për tri deri në katër javët e ardhshme” thuhet në kumtesën e gjykatës penale.
Gjykimi për këtë lëndë ka filluar në nëntor të vitit 2022, por nga atëherë disa herë seancat janë anuluar dhe shtyrë, kryesisht për shkak të gjendjes psikike të Zeqirit. Ndryshe, ai akuzohet për dëmtimin e buxhetit të shtetit për mbi një milion euro.
