Maqedoni
Deklarata e Pendarovskit, Dimitrov: S’kemi faj për deportimin e hebrenjve
13.03.2023 18:01
T’i hidhet faji i pamatur Bullgarisë për deportimin e hebrenjve në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut...

T’i hidhet faji i pamatur Bullgarisë për deportimin e hebrenjve në territorin e sotëm të Maqedonisë së Veriut është joserioze, thotë bashkëkryesuesi bullgar i komisionit historik, Angel Dimitrov.
Reagimi i tij vjen pas deklaratës së kryetarit të shtetit, Stevo Pendarovski, i cili të dielën me rastin e përkujtimit të deportimit të hebrenjve maqedonas tha se Bullgaria duhet të kërkojë falje për rolin e saj pro-fashist të asaj kohe, po që se dëshiron të gjejë paqe me Maqedoninë e Veriut.
“Të flitet ashtu për Bullgarinë është pafundësisht e papranuar, aq më tepër e pavërtetë nga një politikan me përgjegjësi të madhe, qëllimi i të cilit duhet të jetë krijimi i marrëdhënieve të mira diplomatike mes dy vendeve. Bullgaria ka qenë vendi i vetëm i Evropës, e cila në njërën anë ka qenë bashkëpunëtore e Gjermanisë naziste, por nuk është nënshtruar dhe ka shpëtuar të gjithë hebrenjtë e saj.”, - deklaroi bashkëkryesuesi bullgar i Komisionit historik, Angel Dimitrov.
Presidenti Pendarovski nuk i komenton qëndrimet e Dimitrovit. Ne besojmë se nga ana jonë nuk ka nevojë për një deklaratë shtesë, sepse presidenti Pendarovski në fjalimin e ka shprehur qartë qëndrimet e tij.
Në fund të fundit, të ftuarit që ishin në përkujtimin e 80-vjetorit të Holokaustit të hebrenjve maqedonas konfirmuan pretendimet e bëra në fjalimin e presidentit, njofton zyra e presidentit.
Në fjalimin e tij, kreu i shtetit tha se koncepti morbid i quajtur "zgjidhja përfundimtare e çështjes hebraike" nuk është zbatuar askund më efektivisht sesa në Maqedoninë e atëhershme të pushtuar. Me kritikë ndaj Pendarovskit edhe nacionalistët bullgarë, eurodeputeti Angel Xhambaski e ka cilësuar skandaloze fjalimin e tij dhe retorikë zilie ndaj bullgarëve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
