Në mungesë të shirave, niveli i ujit stabilizohet në Likovë

09.02.2015 17:11

Pas disa ditësh ankthi, banorët e fshatit Likovë, që gjendet në afërsi të të dyja digave, të Likovës dhe Gllazhnjës, pas pushimit të të reshurave të shiut munden të jenë më të qetë, pas alarmimit nga rreziqet e mundshme...

Në të dyja digat gjendja me ujin e akumuluar ka filluar të stabilizohet, këtë për programin tonë në një bisedë telefonike e pohoi sekretari i Komunës së Likovës, Nexhati Osmani, i cili gjithashtu na njoftoi se gjatë ditës së djeshme banorët e Likovës kanë pastruar edhe shtratin e lumit, duke nxjerrë plepat që kishin rënë në lum e që vështirësonin rrjedhën e lumit.

Ai gjithashtu nënvizon se mungesa e të reshurave gjatë dy ditëve të fundit nuk lë vend për panik, pasi që niveli ka filluar të stabilizohet, por se edhe digat edhe ashtu janë të sigurta.

Të përkujtojmë se gjatë shirave të rrëmbyeshëm në fundjavë të dy digat në Likovë ishin të stërmbushura. Kapaciteti akumulues i liqeneve është diku rreth 25 milionë kub ujë, kurse gjatë këtyre ditëve sasia e ujit kishte arritur mbi 27 milionë ujë, për çka edhe erdhi deri te derdhja e ujit mbi digat, që nga ana tjetër me të drejtë filloi të vërehet shqetësimi te banorët vendor dhe në përgjithësi në rajonin e Likovës dhe Kumanovës. (Nexhat Aqifi, TVM2)