Maqedoni

Ekspozitë enkas për të verbërit, Aliti: Të verbërit nuk duhet të ndjehen të diskriminuar

14.03.2023 14:24

Piktura që mund të dëgjohen, preken dhe nuhaten, u eskponuan nga piktorja, Elita Aliti...

Piktura që mund të dëgjohen, preken dhe nuhaten, u eskponuan nga piktorja, Elita Aliti, ndërsa iu dedikuan personave të verbër. Për punimet, piktorja Aliti ka përdorur materiale të ndryshme, me qëllim që personat e verbër të mund të prekin materialet, të dëgjojnë zhurmën dhe të nuhasin aromën e pikturave. Në këtë mënyrë ata nuk do të ndjehen të diskriminuar dhe të lënë në harresë, potencon autorja, Demiri. 
 
“Për punimet me prekje kam përdorur materiale nga më të ndryshmet dhe secila teksturë na jep një ndjesi më të ndryshme  për instilacionet kam përdorur motorë dhe për punimet me çajra kam përdorur çajra të ndryshëm, që përmes erërave njerëzit e verbër të kuptojnë aromën. Mesazhi ka qenë që këta njerëz janë lënë pak anash dhe për këtë arsye vendosa që të bëj diçka për ata,  që të mos ndjehen të diskriminuar dhe të harruar nga ne.”, - u shpreh piktorja, Elita Aliti. 
 
Kjo ekspozitë është e para e llojit të tillë, potencojnë nga Shoqata e të verbërve, ndërsa shtëpia muze e Nënës Terezë mirëpriti një nismë të tillë. 
 
“Kemi qenë në ekspozitë edhe në muzeun arkeologjik, por kjo ekspozitë për herë të parë mund të ndjejmë edhe aromën e pikturave. Mendoj se si të verbër jemi lënë anash që të mund të përjetojmë ndjesi të tilla, andaj jam tejet falënderuese për këtë gjest të kësaj piktoreje.”, - theksoi Elena Gjorçinovska nga Asociacioni i të verbërve. 
 
“Kënaqësia është akoma më e madhe kur kjo realizohet në Shtëpinë Muze të Nënës Terezë, e cila rrezatonte me një dashuri në mbarë botën dhe me një ngrohtësi të veçantë, ashtu siç është e veçantë kjo hapësirë multimediale dhe nga zemra ju dëshiroj që të ndjeheni si në shtëpinë tuaj.”, - u shpreh drejtori i shtëpisë muze të Nënës Terezë, Naser Curri. 
 
Nga Shoqata e të verbërve shpresojnë se ekspozitat  e tilla do të shndërrohen në traditë, sepse shoqëria secilit duhet t’i sigurojë kushte për pjesëmarrje të barabartë në evente të tilla.  
 
FLUTURA LATIFI