Maqedoni

Osmani: Për pak muaj RMV do të ketë kryeministër shqiptar

14.03.2023 14:45

Për disa muaj vendi do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar....

Për disa muaj vendi do të udhëhiqet nga një kryeministër shqiptar. Kështu paralajmëroi ministri i jashtëm, njëherit zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani në një tubim me strukturat e BDI-së në Çair.  Duke folur rreth arritjeve të BDI-së, Osmani tha se shqiptarët janë “hisedar” në të trija postet më të rëndësishme të shtetit. 
 
“Fillojmë me presidentin e shtetit, i cili është konsensual dhe udhëheq ushtrinë me vulë, e cila është edhe në gjuhën shqipe. Sot kemi parlament që në 6 vitet e fundit udhëhiqet në shqip. Jo flitet në shqip, udhëhiqet në shqip. Në fakt kemi tre parlamente në rajon që tani udhëhiqen në shqip. Kemi Qeveri në të cilën për disa muaj e presim kryeministrin e parë shqiptar.”, - deklaroi Bujar Osmani nga BDI-ja. 
 
VMRO-DPMNE: Kryeminsitri shqiptar
 
Ndaj kësaj deklarate kanë reaguar nga VMRO-DPMNE, duke thënë  se kryeministri shqiptar do të jetë vazhdimi i kapjes së institucioneve nga BDI-ja, të cilët, siç thonë, edhe faktori ndërkombëtar i ka vlerësuar si të korruptuar.
 
“Kryeministri i përkohshëm, të cilit BDI-ja po ia numëron muajt para se të largohet, s`ka autoritet as në shtet e as nga ministrat në Qeveri. Kryeministrin që e paralajmëron Osmani është vazhdimi i procesit të BDI-zimit të institucioneve që nga bashkësia ndërkombëtare janë vlerësuar si të korruptuara.”, - theksoi Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE-ja. 
 
BDI-zim i institucioneve, Grubi shtrin dorën e pajtimit me “Grupin e zjarrit”
 
Nga takimi me përkrahësit në Çair zëvendëskryeministri, Artan Grubi shtriu dorën e pajtimit me “Grupin e zjarrit”. Sipas tij, duke marrë parasysh të arriturat dhe periudhën në të cilën ndodhet faktori politik shqiptarë, e rëndësishme është unifikimi se sa siç tha ai “lazdria” e politikanëve për karrige e pushtet. 
 
“Unë nga kjo foltore them, neve na duhet pajtim, neve na duhet bashkim, neve na duhet pajtim, neve na duhet të rreshtohemi pas Ali Ahmetit dhe dora jonë e shtruar do të mbetet e shtruar për pajtim, për bashkim, për unifikim edhe për të prijë bashkërisht nën ombrellën e Ali Ahmetit.”, - u shpreh Artan Grubi nga BDI-ja. 
 
Por, nga ana tjetër, grupi i ashtuquajtur i zjarrit vazhdoi me retorikën e ashpër në drejtim të zëvendëskryeministrit Grubi dhe pjesës tjetër të ekzekutivit, duke fajësuar ato për humbjen e BDI-së në Pollog dhe për realizimin e dobët të investimeve kapitale në komunat shqiptare. Takim me përkrahësit pas largimit nga qeveria po mbanë edhe Alternativa e cila mbrëmë ka mbajtur takim me përkrahësit në Kumanovë. Nga kjo parti thanë se si parti politike kanë hapur dyert e bashkëpunimit, që sa më të fuqishëm të hyjnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare pas një viti. 
 
ERSAN PAJAZITI