Botë
Kurti: Suksesi i takimit në Ohër nuk varet vetëm nga unë
14.03.2023 15:02
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është optimist se do të ketë dakordim mes palëve në takimin e Ohrit...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është optimist se do të ketë dakordim mes palëve në takimin e Ohrit, më 18 mars, megjithëse suksesi i takimit nuk varet vetëm nga ai, thotë Kurti. Ai, thekson se plani i zbatimit të propozimit evropian mbase nuk duhet të diskutohet vetëm në Ohër.
“Plani i zbatimit duhet të diskutohet në Ohër, e mbase jo vetëm në Ohër. Unë jam optimist, mirëpo tash se a do të ketë sukses a nuk do të ketë sukses, ju e dini shumë mirë që nuk varet vetëm prej meje. Unë kam, ofruar që edhe në 27 shkurt ta nënshkruajmë marrëveshjen. Nëse ka pasur mossukses asnjëherë nuk ka qenë për fajin tim, sepse unë kam qenë i përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ.”, - deklaroi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Osmani: Nuk presim shumë nga Serbia, por nga ndërkombëtarët
Presidentja Vjosa Osmani nuk pret shumë nga ana e Serbisë në takimin e 18 marsit në Ohër, por se shpreson në komunitetin ndërkombëtar. Sipas Osmanit, presidenti serb nuk ka ndryshuar qëndrim, e as nuk ka dhënë sinjale se do të ndryshojë.
“Pritjet tona janë që natyrisht ky do të jetë një takim, ku Kosova do të angazhohet më shumë, ku do të jap komentet e veta, propozimet e veta, gjithsecila prej tyre kontribuon për paqen në rajon.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Nga ana tjetër, i deleguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, pas takimit me presidentin e Serbisë Vuçiq në Beograd tha se pa formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ndryshe, plani evropian parasheh mes tjerash përmbushjen e marrëveshjeve të deritashme, përfshirë edhe atë për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe që është pjesa më problematike aktualisht në dialogun Kosovë - Serbi të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ana tjetër, deklaruan se marrëveshja mbi udhërrëfyesin e zbatimit të planit evropian është thelbësore për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, ndërsa përparimi drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, thelbësor për ndërtimin e së ardhmes së Kosovës.
GYLTENE SINANI
