Maqedoni

Shaqiri: Takim me maturantët për maturën shtetërore

14.03.2023 15:17

Javën e ardhshme do të rishikohen kërkesat e maturantëve për zvogëlimin e materialit...

Javën e ardhshme do të rishikohen kërkesat e maturantëve për zvogëlimin e materialit për dhënien e provimit të maturës shtetërore. Ministri i arsimit, Jeton Shaqiri, paralajmëroi takim me Qendrën Shtetërore të Provimeve, që të shihet se çka mundëson ligji, sepse provimet tashmë janë caktuar. Shaqiri tha se materiali është përshtatur dhe i përmban informacionet më të rëndësishme të arsimit katërvjeçar. 
 
“Një pjesë e materialit që u është dorëzuar nxënësve të shkollave të mesme është radhitur sipas mënyrës se si është zbatuar në vitin e kaluar shkollor. Por, pavarësisht kësaj, jam i hapur që në periudhën në vijim të zhvilloj një takim tjetër me Qendrën Shtetërore të Provimeve si një institucion që përgatit të gjitha fazat për realizimin e provimit të maturës shtetërore dhe për të parë mënyrën se si duhet të realizohet.", - deklaroi ministri i arsimit, Jeton Shaqiri.
 
VMRO-DPMNE, përkrahje kërkesës së nxënësve
 
Gjimnazistët për ditën e premte kanë paralajmëruar protestë pasi dje shprehën pakënaqësinë e tyre para Ministrisë së Arsimit. Kërkojnë nga kompetentët që të zvogëlohet materiali i provimit sepse vitet e kaluara kanë humbur mësimin për shkak të pandemisë me kovid-19 dhe paralajmërimet për bomba. Nga VMRO-DPMNE thonë se kërkesat e nxënësve janë legjitime. 
 
“E përkrahi dialogun dhe kërkesat e tyre që i udhëheqin me institucionet. Jemi dëshmitarë se pjesë e madhe e mësimit  është humbur me paralajmërimet për bomba, ndërsa Qeveria nuk paralajmëroi asnjë plan apo propozim se si mësimi do të kompensohet, si do të jetë mënyra e dhënies së maturës shtetërore, po duhet të nënshtrohet matura shtetërore, por vlerësoj se duhet t’i përshtatet në situatën aktuale dhe t’u dalin në ndihmë nxënësve të shkollave të mesme dhe maturantëve.", - theksoi Jovan Jaulevski nga VMRO-DPMNE.
 
Lëndët eksterne nga matura shtetërore janë caktuar për 21 maj dhe 10 qershor. Më 27 maj nxënësit do t’i nënshtrohen lëndës në gjuhën amtare, ndërsa më 10 qershor, lëndës zgjedhore.

VLORA LATIFI TOPOJANI