Botë

Dita e Verës dhe mesazhet politike

14.03.2023 17:07

Tirana dhe Elbasani u përfshinë nga një atmosferë festive në Ditën e Verës që është edhe festë zyrtare në Shqipëri....

Tirana dhe Elbasani u përfshinë nga një atmosferë festive në Ditën e Verës që është edhe festë zyrtare në Shqipëri.
 
Edhe këtë vit, kryeqendra e festimeve ishte Elbasani, prej nga i ka rrënjët kjo festë pagane. Qytetarët dolën masivisht në rrugët kryesore, në ditën që simbolizon largimin e së keqes dhe ardhjen e një stine të re plot optimizëm.
 
Për të përcjellë urimet e tyre, por edhe mesazhet politike, në Elbasan ishte kryeministri Edi Rama, që foli për zotimet për ta bërë Shqipërinë më të zhvilluar.
 
“Është një ditë e bukur që lajmëron pranverën. Ju uroj të gjithëve një rikthim të mbarë në ditët me diell dhe në stinët që sjellin më shumë optimizëm, por në Shqipërinë turistike që po zhvillohet vit pas viti të sjellin patjetër dhe më shumë ekonomi.”, - deklaroi kryeministri, Edi Rama.
 
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Rithemeluar, Sali Berisha, paralajmëroi ndryshim në zgjedhjet vendore të 14 majit.  
 
“Kjo ditë është njëkohësisht simbol i ndërrimit, i lulëzimit. Natyra ndërron kostumin e saj, 14 maji do të ndjekë një ndryshim të thellë dhe qytetarët e Elbasanit do të ndjekin për qytetar të parë një politikan si Luçiano Boçin.”, - theksoi Sali Berisha.
 
Simboli kryesor i Ditës së Verës është verorja, që sipas gojëdhënave largon të keqen dhe ëmbëlsira tradicionale e ballokumes. Festimet në Tiranë dhe Elbasan, do të vijojnë deri në mesnatë, me një sërë aktivitetesh.
 
LULJETA NDOKA