“Bomba”, Zaev: DSK është përbindësh që përgjon të gjithë
Kreu i LSDM-së, Zoran Zaev, filloi zbatimin e Projektit “E vërteta për Maqedoninë”...

Publikimi i audio-xhirimeve nga përgjimi i mbi 20 mijë qytetarëve të Maqedonisë nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim është bomba e parë që Zaevi e lëshoi kundër qeverisë.
Sipas tij, Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim nuk ka përgjuar vetëm kryeministrin, Nikolla Gruevski dhe kreun e DSK-së, Sasho Mijallkov. Me urdhër të këtyre të fundit, DSK-ja ka përgjuar të gjithë personalitetet me rëndësi publike, si: liderët e partive opozitare, Zoran Zaevin, Menduh Thaçin, Rufi Osmanin dhe Lubço Georgievin; kreun e BDI-së, Ali Ahmetin, por edhe bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit Gruevski, si ministrin e Financave, Zoran Stavrevskin, ministren e Brendshme, Gordana Jankullovskën dhe presidentin, Gjorge Ivanovin. “Është përgjuar kisha dhe BFI. Janë përgjuar gjykatat dhe anëtarë të Kuvendit” – thotë Zaevi.
“Materialet që posedojmë dëshmojnë se bëhet fjalë për përgjim masiv joligjor nga të punësuar në shërbimet e sigurisë të RM-së nën urdhër të drejtpërdrejtë të Sasho Mijallkovit dhe Nikolla Gruevskit. Kemi parashtruar padi penale kundër Sasho Mijallkovit, drejtor i DSK-së, Goran Gruevskit, udhëheqës i Drejtorisë së pestë dhe N.N. të punësuar në DSK”- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Sipas Zaev-it, përgjimet janë shfrytëzuar nga Mijallkov dhe Gruevski për të mbajtur pushtetin në formë antikushtetuese dhe antiligjore.
“Gjatë zgjedhjeve i kanë keqpërdorur shërbimet shtetërore për të pasur raporte 24 orëshe për secilin kandidat dhe lider të opozitës. Çdo ditë kanë marrë rezyme për kundërshtarin politik. Çdo bisedë, të gjitha planet, i gjithë komunikimi është bërë me para shtetërore në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet në vendin tonë. Përgjim të tillë masiv mund të zbatojnë vetëm shërbimet shtetërore vendore”- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev, thotë se me publikimin e materialeve të tilla ka për qëllim të njoftojë qytetarët me të vërtetën për Maqedoninë, si çështje me rëndësi për qytetarët. Ai ftoi edhe bashkësinë ndërkombëtare që të ndjek me kujdes çdo gjë që publikohet dhe të përfshihet aktivisht në Maqedoni. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
