Maqedoni
Struga nuk humb traditën, feston ditën e verës
14.03.2023 17:29
Struga nuk ka humbur traditën për të festuar ditën e verës....

Struga nuk ka humbur traditën për të festuar ditën e verës. Që në mëngjes fëmijët e Strugës dhe rrethinës dolën për të mbledhur vezë dhe çokollata, ashtu siç është tradita e kësaj feste. Ndërsa, edhe në sheshin e qytetit u organizua një minikoncert me këngë dhe valle nga fëmijët e shkollave fillore. Eventi u organizua nga komuna e Strugës.
"Si çdo vit komuna e Strugës e organizon Ditën e Verës dhe është krijuar një kënaqësi në mes të rinjve, popullatës dhe siç e shihni ka shumë njerëz. Dita e verës është ndërrimi i stinëve, pranvera është ndër më të vrullshmet që vijon edhe ndërrimi i jetës, në bujqësi, blegtori dhe pikërisht kjo është ajo që na detyron ta festojmë. Uroj të gjithë qytetarët për shëndet më të mirë, jetë më të mirë.", - deklaroi kryetari i komunës së Strugës, Ramiz Merko.
"Është kënaqësi për të gjithë fëmijët e Strugës dhe ne e organizojmë me shumë kënaqësi. Siç e shihni edhe vetë kemi organizuar një panair të shkollës fillore, prindërit kanë ardhur për të festuar edhe koha është mjaft e mirë.", - u shpreh organizatorja, Fitore Istrefi.
Fëmijët ishin shumë të lumtur që po festonin bashkë me një numër të madh qytetarësh. Ndërsa kishte edhe një panair ku nxënës të etniteteve të ndryshme shisnin ushqime te gatuara dhe punime dore.
Dita e verës është një festë me origjinë të lashtë iliro-shqiptare, që festohet në nder të natyrës së bukur dhe bimësisë që merr jetë në këtë ditë. Zanafillën e ka në qytetin e Elbasanit, megjithatë shumë qytete shqiptare tashmë e kanë bërë traditë dhe e festojnë.
ILMIE ZHAKU
