Maqedoni
Lloga: Me konsensus të miratohet kodi zgjedhor
14.03.2023 18:57
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ju ka bërë ftesë të gjitha partive politike...

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, ju ka bërë ftesë të gjitha partive politike që me konsensus të miratojnë Kodin e ri Zgjedhor.
Ai ka ftuar të gjitha subjektet politike që të ulen në një tavolinë, me qëllim që të hartohet një model sipas të cilit do të veprohet në drejtim të përgatitjes së një Kodi të ri Zgjedhor. Ky është edhe rekomandim i dhënë nga Komisioni i Venecias, thotë Lloga.
“Në raportin e fundit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, Misioni i posaçëm i vlerësimit të zgjedhjeve i ODIHR bëri të qartë se ka ende një sërë çështjesh në kornizën ligjore për zgjedhjet që duhet të zgjidhen. Kodi zgjedhor duhet të rishikohet në mënyrë gjithëpërfshirëse që të mund të harmonizohet brenda kornizës dhe me ligjet e tjera përkatëse, në përputhje me objektivat e OSBE-së, detyrimet ndërkombëtare dhe praktikat e mira”, theksoi Lloga gjatë konferencës “Reformat Zgjedhore në Republikën e Maqedonisë së Veriut” ku sqaroi se Ministria e Drejtësisë është në proces të formimit të një grupi pune për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme.
Gjithashtu, ai i bëri thirrje partisë opozitare VMRO-DPMNE që të marrë pjesë në këtë grup punues.
“Qëllimi im i qartë është që Kodi zgjedhor të jetë i përgatitur para zgjedhjeve të ardhshme, ndërsa nëpërmjet të një procesi gjithëpërfshirës të garantohet siguria juridike me atë që do të dëgjohen mendimet nga të gjitha partitë politike.”, - theksoi Lloga.
