Botë
Falimenton Silicon Valley Bank, tronditen tregjet financiare në ShBA
14.03.2023 19:41
Falimentimi i Silicon Valley Bank në ShBA shkaktoi tronditje në tregjet financiare...

Dhe, megjithëse qeveria amerikane ndërhyri me vendosmëri, shqetësimi për një efekt të mundshëm domino në tregjet financiare mbetet.
Me gjithë masat e autoriteteve amerikane, në tregjet financiare vazhdon shqetësimi pas falimentimit të dy bankave amerikane. Banka Silicon Valley e specializuar për financimin e startua-eve, u mbyll pas përpjekjes së dështuar për rritjen e kapitalit dhe u vendos nën kontrollin e shtetit.
Rregullatorët në ShBA mbyllën në vijim edhe një bankë tjetër, Signature Bank nga Nju Jorku, pasi klientët tërhoqën në masë fondet e tyre nga kjo bankë. Sipas presidentit, Joe Biden, paratë e depozituara nga klientët janë të siguruara dhe se kostot nuk do të përballohen nga tatimpaguesit, por nga një fond sigurie nga bankat.
“Nuk duhet të shqetësoheni fare. Njerëzit dhe bizneset që kanë depozituar para në Silicon Valley Bank do të mund të kenë akses në të gjitha paratë e tyre nga e hëna, pasi qeveria ndërhyri për të mbrojtur plotësisht depozitat e tyre.”, - deklaroi presidenti i ShBA-ve, Joe Biden.
“Ata thanë të mos shqetësoheni dhe se do të respektojnë të gjitha çeqet e papaguara, do të nderojnë të gjitha çeqet e ardhshme. Nuk besoj një gjë të tillë, kjo më qetëson.”, - u shpreh depozituesi në Silicon Valley Bank.
Për të parandaluar efektet e mundshme domino, autoritetet amerikane ndërhynë në mënyrë tejet të vendosur dhe mbi të gjitha theksuan se depozitat e klientëve janë të sigurta. Falimentimi i bankave në ShBA nuk ka ndonjë ndikim të madh në sistemin bankar të vendeve të BE-së.
“Bankat tona në përgjithësi janë në gjendje të mirë. Ne i kemi forcuar ato jashtëzakonisht gjatë viteve të fundit dhe ato janë nën mbikëqyrjen e ngushtë të autoriteteve kombëtare dhe evropiane. Dhe kuadri i Bazelit po zbatohet për të gjitha bankat e BE-së. Nuk ka asnjë shtet të ekspozuar drejtpërdrejtë ndaj Silicon Valley Bank. Por, kjo është një kujtesë për ne se goditjet në sistemin bankar mund të shfaqen në çdo kohë.”, - theksoi presidenti i Eurogrupit, Aschal Donohoe.
Edhe Qendra për Kërkime Ekonomike Evropiane nuk pret ndonjë krizë të re financiare globale pas mbylljes së dy bankave amerikane, të cilat kishin një model biznesi shumë të veçantë dhe për këtë arsye nuk kanë ndikimin në sistemin e përgjithshëm bankar.
FARIJE DAUTI BAKIJU
