Botë
Sistemi financiar në ShBA, bie ndjeshëm vlera e aksioneve bankare
15.03.2023 11:41
Vlera e aksioneve të bankave në Azi dhe Evropë kanë rënë ndjeshëm, pavarësisht se presidenti amerikan, Xho Bajden...

Vlera e aksioneve të bankave në Azi dhe Evropë kanë rënë ndjeshëm, pavarësisht se presidenti amerikan, Xho Bajden, garantoi se sistemi financiar i Amerikës ishte i sigurt pas falimentimit të dy bankave huadhënëse të mëdha të vendit të tij.
Rënia e aksioneve vjen pasi autoritetet amerikane ndërmorën hapa për të ruajtur depozitat e klientëve kur Silicon Valley Bank me seli në ShBA dhe Banka Signature u mbyllën. Zoti Biden gjithashtu premtoi se do të bëhej ç'ishte e nevojshme për të mbrojtur sistemin bankar. Por, mes investitorëve është përhapur frika se banka të tjera mund të goditen nga falimentimi.
Të mërkurën, indeksi japonez i aksioneve bankare Topix ra me më shumë se 7 për qind, duke shënuar kështu ditën më të keqe në më shumë se tre vite. Aksione të grupit financiar Mitsubishi UFJ Financial Group, huadhënësi më i madh i vendit, ranë me 8.1 për qind në tregun aziatik.
Të hënën, aksionet e Santadner të Spanjës dhe Commerzbank të Gjermanisë ranë me më shumë se 10 për qind.
Një numër bankash më të vogla amerikane kanë pësuar humbje më të rënda se homologet e tyre evropiane, pavarësisht se klientët e tyre u siguruan se këta huadhënës kishin mjaftueshëm likuiditet për të mbrojtur veten nga tronditjet e tregjeve.
