Botë

ShBA – Rusi, tensione rreth operimeve ajrore mbi Detin e Zi

15.03.2023 14:20

Sërish dramë në qiell, ku avion ushtarak gjerman dhe britanik, në kuadër të patrullimit të përbashkët...

Sërish dramë në qiell, ku avion ushtarak gjerman dhe britanik, në kuadër të patrullimit të përbashkët kanë takuar aeroplan rus në afërsi të hapësirës ajrore të Estonisë. Incidenti ka ndodhur derisa Uashingtoni dhe Moska kanë akuzuar njëra tjetrën pas përplasjes mes dronit amerikan dhe avionit luftarak rus mbi Detin e Zi. ShBA-të kanë akuzuar Rusinë për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare.
 
Ndërsa, Rusia akuzon për provokime në afërsi të Krimesë. Moska njoftoi se droni amerikan manovroi papritur dhe ra në ujë pasi u ndesh me avionët luftarakë rusë. Ata theksojnë se nuk kanë pasur kontakt me dronin dhe nuk kanë përdorur armë. Pentagoni konfirmoi se avioni u rrëzua në ujërat ndërkombëtare. Por, nga ShBA thonë se do të vazhdojnë me fluturimet në hapësirën ajrore ndërkombëtare mbi Detin e Zi. 
 
“Ne do të vazhdojmë të operojmë dhe fluturojmë mbi hapësirën ajrore ndërkombëtare. Do të vazhdojmë ta bëjmë atë që është e rëndësishme për interesat tona nacionale të sigurisë në atë pjesë të botës.”, - deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i ShBA-ve, John Kirby. 
 
“Ka disa probleme në lidhje me ujërat ndërkombëtare. Për shembull, Krimeja është pjesë e Federatës Ruse, por Shtetet e Bashkuara nuk e njohin këtë status. Ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për veprimet tona, duke marrë parasysh atë që po ndodh në pjesën lindore të Evropës.”, - theksoi ambasadori i Rusisë në Shtetet e Bashkuara, Anatoly Antonov.
 
Ndërkohë, autoritetet në Kiev me përkrahjen e perëndimit nuk tërhiqen nga mbrojtja e Bakhmutit, ku po zhvillohen luftime të ashpra. Po ashtu, granatime ka pasur edhe në Odesa, Kramadorsk dhe Kharkov. 
 
GYLTENE SINANI