Maqedoni

Bytyqi apel tregtarëve: Ulni çmimet që të mos ketë nevojë t’i ngrijmë!

15.03.2023 15:03

Prej 16 marsit do të hyjnë në fuqi masat e reja për ngrirje të çmimeve të pastave dhe produkteve të qumështit.....

Prej 16 marsit do të hyjnë në fuqi masat e reja për ngrirje të çmimeve të pastave dhe produkteve të qumështit. Makaronat dhe shpagetat pritet të lirohen për 15%, kurse për 10% do të lirohen produktet e qumështit, si qumështi i përhershëm i lopës me yndyrë 2,8%, 3,2% dhe 3,5%, gjiza, djathi i bardhë i lopës dhe i përzier, jogurti dhe kosi. Lista e produkteve me çmime të ngrira mund të rritet, paralajmëroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.
 
Në ministrinë e ekonomisë po bëhen analiza për mishin e freskët, sheqerin, orizin dhe vezët. I pyetur se a mendon qeveria për ngrirje të çmimeve edhe të produkteve tjera që nuk janë bazë, zëvendëskryeministri Bytyqi pret që pas rënies së çmimeve të lëndëve të para në bursat evropiane, tregtarët dhe prodhuesit të tregojnë moral dhe etikë dhe t’i ulin çmimet, në të kundërtën qeveria do të intervenojë edhe tek ata.  
 
“Nëse lëndët e para bien, çmimet nuk mund të qëndrojnë të njëjta. Ne ashtu siç morëm masa për produktet bazë ushqimore, bukën, makaronat, produktet e qumështit, të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe për një sërë produktesh të tjera. Dhe gjithsesi se nëse tregtarët nuk reagojnë vet, qeveria ka dhënë mesazh të qartë, qytetarët nuk do t’i lëmë vetëm dhe do të marrim vendim të ri në interes të qytetarëve.”, - deklaroi zëvendëskryeministër për çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi. 
 
Inspektorati i tregut: Prej nesër inspektorët do të jenë në teren
 
Nga inspektorati i tregut i apeluan tregtarëve që t’i harmonizojnë çmimet, në të kundërtën do të ketë dënime. Inspektorët në teren do të kryejnë kontrolle se a po respektohet vendimi, kurse dënimet do të sillen nga 800 deri 10 mijë euro.
 
“Prej nesër inspektorët do të jenë në teren, do të kryejnë kontrolle që të vërtetohet nëse tregtarët kanë vepruar në pajtim me vendimin. Dua të apeloj edhe njëherë se kishte mjaftueshëm kohë që tregtarët t’i përshtatin çmimet, kështu që të respektohen vendimet, njëkohësisht u bëj thirrje qytetarëve që nëse vërejnë parregullsi, menjëherë të lajmërojnë në inspektoratin e tregut.”, - u shprehën nga Inspektoriati i tregut.
 
Nikollovski: Subvencionet kompensojnë shpenzimet e bujqve
 
Lidhur me pyetjen se a ka mekanizma për mbrojtjen e blegtorisë për shkak të ngrirjes së çmimit të qumështit, ministri i Bujqësisë thotë se blegtorët marrin përkrahje për rritjen e kostove përmes subvencioneve dhe programeve të tjera. 
 
“Ne jemi këtu që t’u japim mbështetje blegtorëve përmes subvencioneve dhe programeve tjera, që të kompensohen shpenzimet e shtuara që i kanë gjatë prodhimit. Pra, të përsëris, se jemi vendi i vetëm në Evropë që zbaton programe intervenuese dhe që kemi paguar 10 mijë bujq për të ndihmuar që të prodhojnë.”, - theksoi ministri i Bujqësisë, Ljupço Nikollovski. 
 
Qeveria siguron se me këtë masë ekonomike, asnjë nga prodhuesit nuk do të humbasë, edhe pse çmimet e kufizuara vijnë pas një përpjekjeje të dështuar që kompanitë t’i ulin çmimet pas subvencioneve të marra për energji elektrike më të lirë.

BELINDA KOKA ADEMI