Botë

Tragjedi pas tragjedie në Turqi dhe Siri, përmbytje në rajonet e goditura nga tërmeti

15.03.2023 15:34

Rajone në Turqi dhe Siri ku para një muaji, tërmeti me magnitudë 7.8 ballë mori jetën e mbi 50.000 njerëzve...

Rajone në Turqi dhe Siri ku para një muaji, tërmeti me magnitudë 7.8 ballë mori jetën e mbi 50.000 njerëzve, janë duke përjetuar një tragjedi tjetër. Kësaj radhe zona janë përmbytur nga uji, pas shirave të dendura, që lanë të vdekur së paku 10 persona, mes tyre një fëmijë 1 vjeç e gjysmë. Zonat që morën goditjen më të madhe ishin Sanliurfa, ku humbën jetën katër persona dhe Antijaman, ku një person humbi jetën. Siç u bë e ditur, katër të vdekurit në Sanliurfa humbën jetën në një nënkalim të përmbytur. Pesë të tjerë të vdekur u gjetën në një apartament nëntokësor në rrethin Tadogan. Recep Tayyip Erdogan shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e njerëzve në zonat e goditura nga tërmeti gjatë fjalimit të tij në një mbledhje të grupit parlamentar të partisë së tij, duke theksuar se ministrat e qeverisë dhe ekipet e shpëtimit ndodhen në zonë.
 
"Uroj mëshirën e Zotit për qytetarët që humbën jetën në fatkeqësinë e përmbytjeve mëngjesin e sotëm në Sanliurfa dhe Adiyaman. Dëshiroj t'ua përcjell urimet më të mira qytetarëve tanë që u prekën nga përmbytjet, pasi kemi përjetuar tërmetin. Ministrat tanë dhe ekipet e shpëtimit menjëherë shkuan në terren për të shpëtuar të mbijetuarit. Zoti ju ruajt nga më e keqja! Sa më shumë të ruajmë në kujtesën tonë fatkeqësitë që kemi përjetuar, aq më të forta do të nxjerrim mësimet prej tyre. Për këtë, ne duhet t'i kujtojmë dhe t'i kujtojmë përsëri që të ndërgjegjësohemi dhe përmirësohemi.", - u shpreh presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
 
Siç shihet në videot e publikuara nga mediat turke, sasia e madhe e ujit përmbyti kampet me tenda në të cilat jetojnë personat që humbën shtëpitë e tyre pas tërmeteve vdekjeprurëse të shkurtit. Në video të tjera vërehet se ujërat e vrullshëm kanë “zhdukur” rrugët, duke tërhequr zvarrë makina dhe objekte të tjera pas tyre, ndërsa qytetarët bien në ujëra për të shpëtuar nënat dhe fëmijët. Meteorologët paralajmërojnë, se dita e sotme me gjasë do të jetë edhe më e rëndë për nga intensiteti i reshjeve të dendura, që pritet të vazhdojnë deri në orët e vona të natës. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU