Migrimi nga Kosova, për tre ditë kanë ikur 4 mijë persona

09.02.2015 18:15

Rritja e numrit të kalimeve ilegale të kufirit Serbi-Hungari nga ana e shtetasve të Kosovës ka bërë që autoritetet serbe të shtrëngojnë masat ndaj këtij fenomeni...

Andaj, sot është arritur një marrëveshje në Beograd mes Policisë së Hungarisë, Austrisë dhe Gjermanisë për bashkëpunim më të madh kur është fjala për ndalimin e emigrantëve ilegalë.

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviç, u ka bërë thirrje emigrantëve nga Kosova që mos t’i shesin pronat e tyre, sepse 99 për qind nga ta do të kthehen në shtëpitë e tyre. Siç raportojnë mediat serbe, Stefanoviç pas takimit me drejtorin e Policisë së Gjermanisë, Diter Roman, drejtorin e Policisë hungareze, Karol Pap dhe delegacionin e Policisë nga Austria ka thënë se në kufirin serbo-hungarez së shpejti bashkë me policinë kufitare do të fillojë patrullimi edhe i xhandarmërisë. “Për ta mbrojtur pjesën e gjelbër të kufirit, policia do të rrit numrin e pjesëtarëve të saj në kufi me Hungarinë dhe nga sot është këqyrur edhe një pjesë e xhandarmërisë”- ka thënë Stefanoviç.

Drejtori i Policisë së Gjermanisë ka deklaruar se bisedimet kanë qenë efikase dhe kanë rënë dakord që policia e asnjërit shtet nuk ka mundësi që vetëm të zgjidhë problemet e emigrantëve ilegalë. “Serbia, Hungaria, Austria dhe Gjermania vetëm bashkë mund ta ndalojnë eksodin humanitar”- ka thënë Roman.

Drejtori i Policisë hungareze, Karol Pap, tha se me Stefanoviçin dhe Romanin është i sigurt se me ndihmën e katër vendeve do të arrihen rezultate të mira. “Kjo do të sjellë më shumë siguri për të gjithë qytetarët tanë”- ka thënë Pap. (Gyltene Sinani, TVM2)