Maqedoni

ALTERNATIVA dhe BESA pro ndryshimeve kushtetuese

15.03.2023 16:04

Partitë në pushtet vazhdimisht kanë ftuar partitë opozitare për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese...

Partitë në pushtet vazhdimisht kanë ftuar partitë opozitare për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese. Por, përderisa VMRO-DPMNE vazhdon të mbetet kategorikisht kundër, opozita shqiptare janë shprehur të gatshëm që të njëjtat t’i përkrahin, por duke vendosur secila prej tyre nga një kërkesë. Driton Sulejmani nga Alternativa thotë se ato do të kërkojnë që ligji për vjetërsimin e lëndëve gjyqësore të rregullohet ashtu siç e kanë kërkuar nga kjo parti. Ndërsa, Lëvizja “Besa” do të kërkojnë që termi prej 20 për qindëve të largohet për shqiptarët. 
 
“Pa dyshim që ne do t’i përkrahim këto ndryshime kushtetuese dhe tash si kërkesë që e kemi bërë se Alternativa ka bërë një kërkesë deri tek të gjitha partitë politike, që pasi që po hapet kushtetuta ta përkrahin edhe iniciativën tonë, për ndryshimin e një amendamenti me të cilën parashihen që mos të vjetrohen lëndët gjyqësore. Dhe tani në shumë raste kjo po interpretohet si kushtëzim, por thjeshtë nuk e di si mund të gjuhet kushtëzim të përhapet një amendament me të cilën luftohet krimi dhe korrupsioni.”, - deklaroi Driton Sulejmani  nga Alternativa.
 
“Ne jemi për ndryshimet kushtetuese dhe këtë e kemi treguar qartas dhe nuk na pengojnë bullgarët realisht, mirëpo ne do të luftojmë deri në fund për heqjen e 20 për qindëshit dhe mendoj se këtu duhet të na bashkëngjiten spektri shqiptarë.”, - theksoi Ersin Pajaziti nga Lëvizja “Besa”.
 
Gazetari Isen Saliu vlerëson se këto nuk janë kërkesa që nuk mund të plotësohen. 
 
“Opozita shqiptare nuk ka dilemë rreth asaj se a duhet të përkrahen ndryshimet kushtetuese apo jo. Kushtet të cilat i përmendën edhe Dritoni edhe Ersini nuk më duken mua si diçka që mund ta pengojnë ndryshimin e preambulës dhe futjen e bullgarëve. Mendoj se ato janë shumë kompatabile njëra me tjetrën dhe besoj se nuk do të jetë problem që të kalojnë edhe këto dy amendamente.”, - u shpreh gazetari, Isen Saliu.
 
ALTERNATIVA dhe BESA të gatshme për bashkëpunim opozitarë
 
Përfaqësuesit e të dy partive nuk përjashtuan mundësinë e bashkëpunimit në mes këtyre dy subjekteve, por pse jo edhe me grupin e të pakënaqurve nga BDI-ja. 
 
“Kryetari Afrim Gashi në Kongresin e partisë e ka bërë të qartë se për Alternativën nuk ekziston parti armike shqiptare. Ne jemi të gatshëm për bashkëpunim me cilindo subjekt politik me të cilën na përputhen qëndrimet edhe qëllimet politike, e kjo nuk e përjashton edhe Lëvizjen “Besa”.”, - theksoi Driton Sulejmani nga Alternativa.
 
“Bashkëpunim gjithsesi se do të ketë jo vetëm me Alternativën, por edhe me partitë tjera, të cilat dalin dhe deklarohen si parti opozitare. “Grupi i zjarrit” për momentin ka probleme të brendshme në subjektin e tyre dhe deri sa ata nuk dalin dhe shkëputen nga BDI-ja, ne nuk kemi se çka të bëjmë takime me ta.”,  - u shpreh Ersin Pajaziti nga Lëvizja “Besa”.
 
Shprehja e gatishmërisë nga ana e Alternativës për bashkëpunim me Lëvizjen “Besa” erdhi pasi Alternativa u largua nga pushteti, meqë kjo parti më herët refuzonte çfarëdo bashkëpunimi me partinë e Kasamit.  
 
FITIM KRYEZIU