Maqedoni

MPJ: Nuk ka pasur indikacione për sulm ndaj Osmanit

15.03.2023 18:16

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se nuk ka qenë e informuar...

Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se nuk ka qenë e informuar dhe nuk ka pasur të dhëna për ndonjë kërcënim apo sulm të mundshëm ndaj delegacionit të OSBE-së dhe as ndaj kryesuesit të Organizatës, ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, gjatë vizitës së tij në Moldavi.
 
Sqarimi nga Ministria e Punëve të Jashtme vjen pasi në disa media dolën informacione për një sulm të shmangur ndaj delegacionit të OSBE-së gjatë vizitës në Moldavi. 
 
“Kryesuesi kishte besim të plotë te shërbimet e sigurisë së Moldavisë dhe tek autoritetet atje, të cilët garantuan sigurinë e tij dhe të delegacionit. Nuk kemi qenë të informuar dhe nuk ekzistonin indikatorë për ndonjë kërcënim apo sulm të mundshëm ndaj delegacionit të OSBE-së, e as ndaj kryesuesit Osmani gjatë vizitës së tij. Siguria e përfaqësuesve të OSBE-së është me prioritet të lartë dhe Organizata do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me autoritetet lokale gjatë çdo vizite dhe në çdo vend”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme. 
 
Portali moldavez “Realitatea” ka raportuar se sulmi i supozuar do të kryhej me një makinë bombë të parkuar pranë Kalasë Bender. Sipas të njëjtit burim, autoritetet në rajonin separatist pro-rus të Moldavisë, Transnistria akuzuan shërbimin ukrainas të sigurisë për organizimin e planit për sulmin.
 
Madje, ata kanë publikuar një video ku sipas tyre shihet “agjenti” i cili është dashur të kryejë sulmin, duke ndjekur delegacionin e OSBE-së të kryesuar nga Bujar Osmani.
 
Por, Ukraina ka mohuar kategorikisht akuzat, ndërsa autoritetet moldave vlerësuan se për pretendime të tilla nevojiteshin prova, pasi ajo që u paraqit ka karakter spekulativ dhe nuk pasqyron hetime apo të dhënat vërtetuese të autoriteteve të Republikës së Moldavisë.
 
SEDAT SELIMI