Maqedoni
Gjykimi për fatkeqësinë në Llaskarcë, atmosferë e tensionuar mes palëve në procedurë
16.03.2023 14:41
Në atmosferë të tensionuar mes familjarëve të viktimave dhe avokatëve të të akuzuarve...

Në atmosferë të tensionuar mes familjarëve të viktimave dhe avokatëve të të akuzuarve, ka vazhduar procesi gjyqësorë për fatkeqësinë e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 persona dhe 30 të tjerë mbetën të lënduar. Sipas familjarëve, gjithmonë kur ekspertët nuk japin përgjigje konkrete, mbrojtja krijon tensione që kanë për qëllim të ndërpresin gjykimin.
“Me ngritje të zërit, me orkestrim dhe me pjesëmarrjen e të gjithë avokatëve të të akuzuarve kanë për qëllim të dekoncentrojnë prokurorin publik që të krijohet nervozë plotësuese, që më pas të kualifikohet me atë se ne jemi ata që kërcënohen.”, - u shpreh Sinisha Ristovski nga pala e dëmtuar.
Avokatët e të akuzuarve reagojnë se në mënyrë konstante janë objektiv i fyerjeve nga ana e të dëmtuarve, në raste të sulmuar edhe fizikisht.
“Nuk do të lejoj që dikush të më fyej, vetëm pse unë jam avokat mbrojtës. Unë jam në vendin tim të punës dhe po e kryej funksionin tim pa marrë parasysh nëse kjo i pëlqen dikujt ose jo. Gjykata është ajo që duhet të më paralajmërojë, nëse unë veproj diçka jashtë suazave të profesionit tim.”, - deklaroi avokati mbrojtës, Sasho Dukovski.
Eksperti Zekiri pas pushimit mjekësorë, në seancë
Ndërkohë, pas mungesës në disa seanca gjyqësore, paraqitet eksperti Zekirija Zekiri, i cili mungesën e tij e arsyetoi me problem shëndetësore. Shtoi se familja e tij, ka përjetuar presione të mëdha, për shkak të mungesës së tij në seanca gjyqësore. Mbrojtja e palës së dëmtuar, nuk është e kënaqur me ekspertizën e realizuar dhe mbrojtjen e saj.
“Të gjitha këto deklarime të këtij personi ekspert, që është doktor i shkencave janë jo të plota, të plotësuara nga ekspertë të tjerë dhe sipas meje janë jo reale. Eksperti, qëllimisht u shmanget t’i përgjigjet pyetjeve të parashtruara, me qëllim që të zvarritet dhe të shmanget e vërteta e ekspertizës nga Fakulteti i Makinerisë.”, - theksoi avokati i palës së dëmtuar, Vlladimir Nikollovski.
Në këtë rast të akuzuar janë gjashtë persona përfshirë edhe pronarin e kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli. Procesi gjyqësor për fatkeqësinë në Llaskarcë ka filluar në shtator të vitit 2019.
FLORIJE BELULI KAMBERI
