Botë
Escobar: Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje përfundimtare
16.03.2023 14:58
Në prag të takimit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, janë intenzivuar aktivitetet politike në terren....

Në prag të takimit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, janë intenzivuar aktivitetet politike në terren. Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pas takimeve në Beograd, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të jenë konstruktive dhe fleksibile në takimin e Ohrit që mbahet më 18 mars.
“Propozimi evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë është një nga mundësitë më të mira për të çuar rajonin përpara dhe për të krijuar kushte paqësore për të gjithë njerëzit që jetojnë në rajon. Pritshmëritë tona janë që të dy liderët të jenë në gjendje të dëgjojnë njëri-tjetrin, që ata të punojnë për ta bërë këtë marrëveshje realitet. Të mendojnë për pengesat, të kërkojnë mënyra për t’i kapërcyer ato dhe të largohen nga takimi duke kuptuar se do të vazhdojnë të punojnë deri në zgjidhje.”, deklaroi Escobar, në një konferencë për mediat në Beograd.
Borrell: Është koha për ta përmbyllur marrëveshjen
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, përmes një postimi në Tuiter ka thënë se është koha për të përfunduar marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Është koha që liderët e Kosovës, Serbisë dhe gjithë Ballkanit Perëndimor, të tregojnë guxim dhe të tregojnë përgjegjësi në suksesin e pranimit të tyre në Bashkimin Evropian.", ka shkruar Borrell.
Kurti: Ne vazhdojmë të jemi konstruktiv
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, përpara takimit të radhës të nivelit të lartë në Ohër ka biseduar të enjten me të dërguarin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
“Ne vazhdojmë të jemi konstruktiv, krijues dhe të përkushtuar ndaj dialogut të hapur dhe thelbësor drejt një marrëveshjeje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. E falënderova për rolin dhe mbështetjen e vazhdueshme.”, ka shkruar Kurti në Tuitter.
Ndryshe të shtunën do të zhvillohet një takim i lartë në Ohër ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.
SAFET ADEMI
