Maqedoni

Zgjedhjet e parakohshme, Mickoski fton në zgjedhje pa qeveri teknike

16.03.2023 15:13

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ftoi pushtetin në zgjedhje të parakohshme parlamentare...

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ftoi pushtetin në zgjedhje të parakohshme parlamentare në maj ose qershor, pa krijimin e qeverisë teknike me mandat 100 ditor, për të cilin BDI thotë se do ta kryesojë person nga radhët e tyre. Mickoski konsideron se zgjedhjet janë të patjetërsueshme për përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike në vend.
 
“Zgjedhjet të jenë në maj, mundet edhe në pjesën e parë të qershorit, jemi në dispozicion, nuk ka nevojë për qeveri teknike, le të jetë me Oliver Spasovskin ministër i brendshëm dhe kushdo qoftë të jetë kryeministër, a do të mbetet ky që është apo dikush tjetër, me këtë ministër të financave, me këtë ministër të punës dhe politikës sociale, ashtu siç është, ne jemi të gatshëm të shkojmë menjëherë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski. 
 
Kovaçevski: Zgjedhjet, në terminin e rregullt
 
Për kryeministrin Dimitar Kovaçevski çështja e zgjedhjeve të parakohshme është çështje e mbyllur dhe do të ketë zgjedhje të rregullta.
 
“Konsideroj se edhe ata duhet t’i përkushtohen më shumë punës në komuna, e jo vetëm të përfundojnë në zgjedhje të parakohshme, pasi s’do të ketë. Do të ketë zgjedhje të rregullta.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Kryeministri shqiptar, Kovaçevski: Do t’i përmbahemi marrëveshjes
 
Ndërkohë BDI ka nisur fushatë për kryeministrin shqiptarë me slloganin “Po, ai po vjen”. Kryeministri Kovaçevski thotë se çështja e kryeministrit shqiptar është rrjedhojë e marrëveshjes së vitit 2020 dhe do të respektohet, edhe pse personalisht Kovaçevski kundërshton konceptin e kryeministrit teknik.
 
“Aspak nuk e kam problem që kryeministri teknik të jetë shqiptar ose pjesëtar i cilido komunitet, pasi që konsideroj se përkatësia etnike nuk është profesion, por profesionin e arrijmë me njohuri, aftësi dhe punë. Me konceptin e qeverisë teknike, un personalisht nuk pajtohem, pasi që ky koncept u arrit përderisa vendi ishte shtet i kapur, ndërkaq tani jemi anëtare i NATO-s, po bisedojmë me BE-në dhe kryesojmë me OSBE-në.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Çështja e kryeministrit shqiptar u aktualizua nga ministri i jashtëm, Bujar Osmani, dhe më pas u konfirmua edhe nga zëvendës kryeministri Artan Grubi.
 
MERAL ISMAILI