Tetovë, tërmeti mbrëmë shqetësoi banorët
Mbrëmë rreth orës 18:40 minuta, në Tetovë dhe rrethinë u dëgjua një tërmet si pasojë e lëvizjeve tektonike të tokës me intensitet prej 3.9 shkallë..

Epiqendra e tërmetit ishte në mes të fshatrave Bllacë dhe Miletinë të Komunës së Bërvenicës, që shkaktoi frikë në mesin e qytetarëve të Pollogut. Janë shkaktuar plasaritje të mureve në disa shtëpi të lagjes Drenovec të Tetovës, ndërsa në vendbanimet përreth ka pasur plasaritje në disa shtëpi të vjetra e që janë të pabanuara.
Autoritetet thonë se tërmeti, përpos frikës që ka shkaktuar te qytetarët, fatmirësisht nuk ka shkaktuar ndonjë fatkeqësi dhe nuk është regjistruar ndonjë dëm material.
“Po ashtu, siç e dëgjuan të gjithë qytetarët e Tetovës apo Pollogut, e dëgjuan këtë tërmet në fshatrat në Komunën e Bërvenicës, diku thuhet se epiqendra ka qenë në mes fshatrave Miletinë-Bllacë, në kontakt e sipër me qytetarët dhe kryetarët e bashkësive lokale që mbrëmë ramë, nuk ka pasur dëme materiale, përveç asaj që ka pasur shqetësime te banorët dhe disa shpi që janë me ndërtim më të vjetër me material jocilësor është dëgjuar më shumë, por plasaritje ka diku ku ka pasur shtëpi të lëna me vite padore, por nuk ka dëme materiale që dikush të ketë kërkuar asistencë, qoftë të anës materiale apo diçka tjetër, kështu që ne do jemi në teren. Sot ka dalë edhe inspektorati komunal dhe deri më tani nuk është regjistruar ndonjë dëm serioz”- deklaroi kryetari i Komunës së Bërvenicës, Enver Pajaziti.
Tërmeti, që u dëgjua mbrëmë, është ndier edhe në komunat tjera rurale të Tetovës, si në atë të Zhelinës, Bogovinës, Jegunovcit dhe Tearcës.
Po ashtu, sot në fshatin Jazhincë të Komunës së Tearcës ka pasur stuhi të fuqishme të erës. Jozyrtarisht mësohet se era ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në këtë fshat, por pa pasoja në njerëz. (Miftar Emini, TVM2)
