Maqedoni

Kuvend, miratohet propozim-ligji për barnat për sëmundje të rralla

16.03.2023 17:45

Më në fund pak shpresë për personat që vuajnë nga fibroza cistike pasi që ndryshimet ligjore të shumëpritura...

Më në fund pak shpresë për personat që vuajnë nga fibroza cistike pasi që ndryshimet ligjore të shumëpritura e që kanë për qëllim prokurimin e ilaçit “Trikafta”, kanë hyrë në procedurë parlamentare dhe atë me procedurë të shkurtuar. Me 95 vota pro dhe asnjë kundër dhe të përmbajtur u miratua propozimi i qeverisë që Ligji për barnat dhe pajisjet mjekësore të kalojë me procedurë të shkurtuar. 
 
“Rregullohen barnat dhe pajisjet mjekësore për përdorim në mjekësinë humane, kushtet dhe mënyra për sigurimin e cilësisë, sigurisë dhe efikasitetit të tyre, mënyra dhe procedurat e prodhimit të tyre, formimi i çmimeve dhe mbikëqyrja inspektuese.”, - deklaroi zëvendësministrja e shëndetësisë, Maja Manoleva.
 
VMRO-DPMNE akuzon: Me “Trikaftën” doni të bëni mashtrim
 
Por, deputetët e VMRO-DPMNE-së akuzojnë se projektligji për barna dhe pajisje mjekësore përmban vetëm keqpërdorime dhe se pacientët nuk do të marrin rimbursim për këtë ilaç të shtrenjtë. Ata kërkojnë blerjen reale të “Trikafta-s” dhe në përputhje me zgjidhjet e mëparshme ligjore. 
 
“Gjëja më skandaloze në këtë ligj është se çmimi me të cilin do të prokurohet ilaçi nga prodhuesi, do të trajtohet si sekret biznesi, gjë që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Prokurimin Publik. Kjo do të thotë se kompania farmaceutike që ka blerë medikamentin do të mund ta shesë ilaçin shumë më shtrenjtë se sa e ka blerë, ndërsa personi që blen ilaçin nuk do të marrë rimbursim.”, - theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Rashela Mizrahi.  
 
Në pritje të propozim-ndryshimeve në Ligjin për Pajisjet Mjekësore dhe Sigurimet Shëndetësore, tetë pacientëve më kritikë iu sigurua me import intervenues ilaçi “Trikafta”, ndërsa për shkak të çmimit më të ulët të blerjes se sa ishte planifikuar, ilaçi u porosit edhe për katër të tjerë, ndërsa 116 të tjerë janë në pritje të ndryshimeve ligjore.
 
SANIJE DURAKU