Maqedoni

ITKSh shënon 70 vjetorin e lindjes se Qani Memetit, ishte publicist që afirmoi çështjen kombëtare

16.03.2023 18:15

ITKSh shënoi 70 vjetorin e lindjes se doaenit të gazetarisë shqiptare Qani Memeti...

ITKSh shënoi 70 vjetorin e lindjes se doaenit të gazetarisë shqiptare Qani Memeti, duke vlerësuar kontributin e tij në fushën e gazetarisë dhe publicistikës. Qaniu ishte intelektual i shquar i kombit, i cili informoi publikun duke paraqitur të vërtetat për luftën e Kosovës, luftën e vitit 2001 në Maqedoni, ndërsa pena e tij e guximshme hapi rrugët e prosperitetit dhe zhvillimit shoqëror. 

 
“Atëherë kur ishte e vështire të përhapej e vërteta për Kosovën dhe luftën e saj të drejtë për liri dhe pavarësi, ishte zëri i Qani Memetit qe jehonte ne etër dhe dërgonte në skajet me te largët te globit se liria ishte afër. Ishte ky, i kurajës dhe qëndresës për luftëtaret tanë në frontet e betejave për te cilët përpos municionit dhe ushqimit jetike ishte edhe fjala që përhapej në media.”, - deklaroi Skender Asani nga ITKSH-ja. 
 
“2001-shin, telefonin e parë Motorola me antene të madhe ka pasur dhurat nga lideri  Ali Ahmeti dhe komunikonte çdo dite për të rejat që ndodhnin në Maqedoni. Shfrytëzoj rastin që ta falënderoj liderin Ahmeti për kujdesin ndaj Qaniut dhe intelektualëve në RMV.”, - theksoi Besiana Memeti Tolaj, e bija e Qani Memetit.
 
“Shkrimet dhe emisionet e tij dalloheshin për nga aktualiteti, përmbajtja dhe mesazhi shumë i qartë duke informuar drejtë dhe guximshëm. Në këtë mënyrë ai se qëndroi vertikalisht dhe dha kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të informimit të çështjes kombëtare.”, - deklaroi gazetari, Nuhi Bytyqi.
 
“Ai ka dhënë një kontribut të çmuar për informimin e opinionit te gjerë publik. Në Kosovë, Maqedoni dhe në Diasporën shqiptare. Ai shquhej për mendim kritik, solidaritet dhe mbi të gjitha për përkushtimin etik kombëtar dhe profesional.”, - theksoi publicisti, Qemal Murati. 
 
Për jetën dhe veprën e tij u emitua edhe dokumentari nga gazetari Bekim Adili, ndërsa bija e tij Besiana Memeti u dekorua me mirënjohje për veprimtarinë e shquar të atit të saj.  
 
FLUTURA LATIFI