Botë
Të shtunën në Ohër takimi Kurti-Vuçiq, BE: Diskutohet finalizimi i aneksit të marrëveshjes
17.03.2023 15:40
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq të shtunën do të takohen në Ohër....

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq të shtunën do të takohen në Ohër. Siç ka bërë të ditur Bashkimi Evropian në takim do të diskutohet për finalizimin e Aneksit të Implementimit të propozimit evropian.
“Takimi do të fokusohet në finalizimin e Aneksit Zbatues të Marrëveshjes së BE-së për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Politikë të Jashtme të BE-së.
Escobar pret rezultat pozitiv nga takimi në Ohër
Përfaqësuesi i lartë, Borell, i mbështetur nga përfaqësuesi special i BE-së, Miroslav Lajçak, fillimisht do të zhvillojë takime të ndara me liderët, e më pas do të ketë një takim të përbashkët trepalësh. Në takim do të merr pjesë në cilësinë e vëzhguesit edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ky i fundit një ditë para takimit në Ohër, ka qëndruar në Prishtinë ku ka takuar krerët shtetërorë të Kosovës. Ai me këtë rast ka thënë se pret rezultat pozitiv nga takimi i 18 marsit në Ohër. Sa i përket planit evropian, Escobar ka thënë se u jep një mundësi të madhe për paqe Kosovës dhe Serbisë.
“Ne kemi për qëllim të mbështesim plotësisht çdo rezultat që sjell paqen më afër rajonit dhe intensifikon mundësitë për Kosovën dhe Serbinë për t’u bërë pjesë e komunitetit euro-atlantik. Ky propozim jep një mundësi të madhe për paqe për të dyja vendet. Ne kemi synim që kjo të funksionojë për Kosovën, por jo vetëm për Kosovën. Mirëpres rezultat pozitiv në Ohër. Jam shumë optimist për një zgjidhje paqësore. Dhe shpresoj se pas të shtunës do të kemi lajme të mira.”, - deklaroi i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Osmani: Kosova shkon në Ohër për rezultat pozitiv
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova në Ohër shkon me mendësinë e arritjes së një marrëveshjeje të drejtë, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
“Ne besojmë fort se një marrëveshje e drejtë, e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse ku trajtohemi si dy shtete të barabarta është e vetmja mënyrë për të siguruar paqe afatgjatë dhe prosperitet në rajon. Kosova shkon drejt Ohrit me këtë mendësi dhe shpresë për rezultat pozitiv. Çdo tendencë nga Serbia për ta penguar këtë marrëveshje mund ta dëmtojë procesin e dialogut. Jam e bindur se marrëveshja do të sjellë rezultate konkrete dhe rrjedhimisht do të sigurojë integrimin Kosovës në institucionet euroatlantike, do të sigurojë integrimin gjithëpërfshirës të komunitetit serb të Kosovës në institucionet e Republikës.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Zyra e kryeministrit Kurti ka lëshuar një komunikatë rreth takimit me të dërguarin amerikan Eskobar, me ç’rast Kurti falënderoi Emisarin për “angazhimin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialog.”.
“Propozimi evropian është cilësuar dhe pranuar nga Kosova si bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. Të përkushtuar, konstruktiv dhe kreativ, delegacioni qeveritar i Kosovës udhëton për në Ohër me vullnet të mirë, qëllime të mira dhe besim të mirë.”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.
Në prag të takimit në Ohër, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk planifikon të nënshkruajë asgjë në takimin e së shtunës me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Presidenti serb tha se takimi i Ohrit nuk do të jetë “ditë e gjykimit” duke nënvizuar se do të përpiqet të bëjë atë që është më e mira për Serbinë. Vuçiq tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është shumë i rëndësishëm për Serbinë, meqë ofron siguri dhe mbështetje për serbët e Kosovës.
GYLTENE SINANI
