Maqedoni

MPJ-a bullgare: Po i ndjekim me shqetësim zhvillimet në RMV

17.03.2023 15:54

Nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova, ka deklaruar se nuk ka asnjë shenjë se Qeveria në Maqedoninë e Veriut...

Nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova, ka deklaruar se nuk ka asnjë shenjë se Qeveria në Maqedoninë e Veriut dëshiron t'i japë fund gjuhës së urrejtjes ndaj çdo gjëje bullgare. Siç raporton “Bg on Air”, Jotova ka theksuar se “autoritetet në Shkup nuk duan të marrin vendime konkrete në lidhje me të ashtuquajturat “vepra penale”.
 
“Komisioni i përbashkët historik nuk funksionon, nuk ka ndryshim në tekstet shkollore për të cilat ka insistuar pala bullgare, as për pjesën tjetër të pretendimeve të Bullgarisë, të cilat janë të shkruara bardhë e zi në protokollin e përbashkët. Të gjitha ngjarjet pas këtij propozimi, nga djegia e klubit në Manastir e deri te cenimi i institucionit kulturor bullgar, ky është institucion zyrtar i shtetit bullgar dhe në baza reciproke, autoritetet maqedonase i kanë lënë të gjitha këto veprime pa ndëshkim, të gjithë të dyshuarit janë të lirë.”, - deklaroi nënkryetarja e Bullgarisë, Iliana Jotova. 
 
Ndërkohë nga ministria e Punëve të Jashtme bullgare thonë se po ndjekin me shqetësim të shtuar zhvillimet në Maqedoninë e Veriut lidhur me përpjekjet për të kufizuar të drejtën e shoqërimit të bullgarëve në vend. 
 
“Vendimet e marra nga autoritetet në Maqedoninë e Veriut bien ndesh me angazhimet e Shkupit në fushën e të drejtave të njeriut dhe detyrimin për të siguruar të drejta dhe liri të barabarta për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe ata që deklarojnë veten si bullgarë. Kujtojmë se në vitin 2009, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka nxjerrë një aktgjykim kundër Maqedonisë së Veriut, në të cilin thuhej se emri i shoqatës “Radko”, që është pseudonim i Ivan Mihailovit, nuk mund të merret në vetvete si rrezik dhe kërcënim për rendin publik.”.
 
Deklarata e MPJ-së bullgare vjen pasi ministria e drejtësisë i ndaloi përdorimin e emrit “Ivan Mihailov” klubit bullgar nga Manastiri, i cili më vonë njoftoi se do të apelojë në Strasburg.

NAIM RAMADANI