Maqedoni

Ikja e të rinjve nga vendi, Kovaçiq: Anëtarësimi në BE deri në vitin 2030 është i mundur

17.03.2023 16:16

Anëtarësimi i vendit në BE deri në vitin 2030 është reale dhe i arritshëm, thotë ambasadorja sllovene, Tatjana Kovaçiq....

Anëtarësimi i vendit në BE deri në vitin 2030 është reale dhe i arritshëm, thotë ambasadorja sllovene, Tatjana Kovaçiq. Sllovenia për gati tre dekada realizon miqësi dhe bashkëpunim të sinqertë dhe tani po e mbështet intensivisht vendin në procesin e eurointegrimeve.
 
“Anëtarësimi në NATO u arrit me mbështetjen e Sllovenisë dhe verën e kaluar, pas 17 vitesh statusin e kandidatit, vendi më në fund filloi negociatat e anëtarësimit.”, - deklaroi ambasadorja e Republikës së Sllovenisë në vend, Tatjana Kovaçiq. 
 
Jordanov: U ktheva në RMV për shumë arsye
 
Këtë prononcim ambasadorja sllovene e bëri në debatin kushtuar kthimit të të rinjve në vendlindje përfshirë studentët nga RMV, të cilët studiojnë në Slloveni. Një përvojë të tillë e ndau edhe një ish-student, tashmë një biznesmen i suksesshëm.
 
“U ktheva për shumë arsye, por lidhja me shtëpinë, siç mund ta them, shtëpia është shtëpi, por për të qëndruar këtu duhet të kemi edhe nikoqir të mirë që na pret.”, - theksoi Vojdan Jordanov nga Shoqata e Pronarëve Sllovenë – Maqedonas.
 
Besimi: Ofrojmë një të ardhme të sigurt në BE
 
Autoritetet sigurojnë se po bëjnë përpjekje që studentët që kanë studiuar jashtë vendit të gjejnë punë këtu, pa lidhje dhe miqësi. Ata apelojnë që të rinjtë të kenë durim, sepse Bashkimi Evropian së shpejti do të vijë edhe tek ne.
 
“Ne ofrojmë një të ardhme të sigurt në BE, ky është mesazhi kryesor që të rinjtë duhet ta dinë me siguri se në Maqedoni do ta gjejnë Bashkimin Evropian.”, - u shpreh ministri i financave, Fatmir Besimi. 
 
Nikollovski: Po krijojmë kushte për jetë cilësore
 
“Ne jemi duke negociuar me BE-në, kur hapim fondet evropiane dhe kur krijojmë kushte më të mira për jetë cilësore për të rinjtë, pra po bëjmë atë që na ka munguar dekada më parë.”, - theksoi ministri i bujqësisë, Ljupço Nikollovski. 
 
Statistikat tregojnë se rreth 9 mijë të rinj largohen çdo vit nga vendi, kryesisht me arsim të lartë. Nga ana tjetër, në vend mungojnë  gati 10 mijë punëtorë dhe po mendohet që të importohet fuqi punëtore nga vendet e huaja. 
 
SEDAT SELIMI