Maqedoni

Bytyqi: Ka hapësirë për lirim të çmimit te frutat dhe perimet

17.03.2023 17:05

Të gjithë ata që merren me tregti me shumicë dhe pakicë duhet të ndjekin çmimet e produkteve në bursë...

Të gjithë ata që merren me tregti me shumicë dhe pakicë duhet të ndjekin çmimet e produkteve në bursë, sepse çdo ulje e çmimeve në bursë duhet të nënkuptojë edhe ulje të çmimeve për qytetarët tanë, tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Fatmir Bytiqi. Sa u përket analizave për ngrirje të çmimeve të vezëve, sheqerit dhe orizit, Bytyqi tha se janë gati dhe dërgoi porosi deri tek tregtarët se ka hapësirë për lirim të çmimit tek frutat dhe perimet.
 
“Nuk kam mundur të shoh sot analizat për vezët, sheqerin dhe orizin, sepse kam pasur aktivitete të tjera, por gjatë ditës do t'i shoh dhe do të mund të jap një vlerësim nëse do të ketë ngrirje të çmimeve të tyre. Ne monitorojmë të gjitha produktet, duke përfshirë produktet bujqësore. Në këtë periudhë frutat dhe perimet janë  produkte të cilat pjesa më e madhe  importohen  prandaj  edhe  për këtë arsye ndjekim çmimet në bursë. Nëse ka rënie të çmimeve të aksioneve në bursa, ne do të mbetemi në qëndrimin se do të presim që edhe tregtarët tanë të ulin çmimet e tyre.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi. 
 
Ndërkohë nga Lidhja e odave ekonomike kanë reaguar  ndaj deklaratës se djeshme të  ministrit të ekonomisë, Bekteshi, se shporta konsumatore  përllogaritet gabimisht dhe se ajo është shumë më pak se 50 mijë denarë.
 
“Shporta konsumatore llogaritet njëjtë prej më shumë se 10 vitesh. Nëse i shqetëson inflacioni i lartë, ata duhet të punojnë për të. Ndoshta duhet ndryshuar metodologjia dhe të futen të gjithë parametrat që nevojiten për një jetë normale dhe në atë rast do të arrinin rreth 90.000 denarë, kështu që ndoshta nuk do t'u pëlqejë.”, - thonë nga LSM. 
 
Prej 16 marsit makaronat dhe produktet e qumështit janë 15, gjegjësisht 10 për qind më të lira në markete. 
 
Megjithatë, nga inspektorati i tregut thonë se ka qytete ku shkelet vendimi i qeverisë. Ata paralajmëruan se do të vazhdojnë me kontrollet edhe gjatë fundjavës.
 
GAZMEND KURTISHI